Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Serbi ka deklaruar se Aleanca i mbështet bisedimet Kosovë-Serbi dhe se trupat e KFOR-it do të qëndrojnë në Kosovë derisa prania e tyre të vlerësohet e nevojshme.
“KFOR-i është çelësi për të ofruar garanci dhe lehtësi për dialogun Beograd-Prishtinë. Ne e mbështesim fuqishëm dialogun pasi na duhet normalizimi që të krijojmë një situatë ku KFOR-i të jetë i panevojshëm. Por do të rrimë derisa të jetë e nevojshme, pasi ky është një mision i bazuar në gjendjen në terren”, deklaroi Stoltenberg.
Serbia e sheh NATO-n si një organizatë fajtore për atë që ndodhi në vitin 1999 dhe për këtë Stoltenberg dhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiç patën mospajtime lidhur me autorsinë e fajësisë.
Por, siç tha shefi i Aleancës Euro-Atlantike, bashkëpunimi për të gjithë është një fitues i garantuar. Nga ana e tij, Vuçiç tha se NATO është një garanci për serbët e Kosovës, sidomos në veri, ku forcat kosovare sipas tij nuk duhet të jenë të pranishme.
Serbisë iu hoqën kufizimet që ka pasur pas vitit 1999, që nënkuptonin mungesë të kontrollit ajror në afërsi të kufirit me Kosovën. Vuçiç paralajmëroi se në aeroportin “Adem Jashari”, së shpejti mund të ulen avionët e “Air Serbia”.
“Shpresojmë se do të flasim në Bruksel, por edhe në nivele më të ulta pasi është interesi ynë që avionët civilë nga Beogradi të ulen në Prishtinë. Për këtë ne do të flasim edhe me NATO-n”, deklaroi Vuçiç.
Mali i Zi pritet të marrë në fillim të dhjetorit ftesën për t’iu bashkuar NATO-s, gjë që mund të shkaktojë pakënaqësi tek rusët. Lidhur me këtë, Stoltenberg tha se askush nuk është futur me dhunë në organizatë.
Top Channel