Valls: Franca, në rrezik nga sulmet bio-terroriste

19/11/2015 10:45

Kryeministri francez, Manuel Valls ka paralajmëruar se Franca mund të përballet me sulme terroriste biologjike ose kimike nga grupet islamike.

Këtë deklaratë, Valls e ka bërë gjatë një fjalimi në Parlament, përpara votimit të zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend. Kreu i ekzekutivit tha se terrorizmi e goditi Francën jo për shkak të asaj që po bën në Siri e Irak, por për shkak të asaj që është.

“Risia janë mënyrat e veprimit. Mënyrat e përdorura për të goditur e vrarë janë përgjatë gjithë kohës në zhvillim. Imagjinata makabre e atyre që japin urdhërat është e pakufizuar: sulme të armatosura, prerje koke, atentatorë vetëvrasës, thika, ose të gjitha këto së bashku”, deklaroi Valls.

Qeveria franceze i ka kërkuar Parlamentit të zgjasë me 3 muaj të tjerë fuqitë e zgjeruara që i jep gjendja e jashtëzakonshme autoriteteve të sigurisë.

Ekzekutivi nuk ngurron të argumentojë se në kohë krize, siç është kjo aktuale, ekulibri mes lirive dhe sigurisë publike duhet ndryshuar. Dhe kjo nënkupton mes masash të tjera të ashpra edhe një prani masive unfirmash ushtarake e policore në rrugët e qyteteve franceze, të përqendruara sidomos në ambjente të tilla grumbullimesh publike si muzetë, galeritë e artit apo dhe vende të tjera të rrezikuara.

Valls kërkoi gjithashtu nga Europa adoptimin e masave urgjente sa i takon ndarjes së informacioneve mbi pasagjerët e linjave ajrore, si mënyra për të garantuar më mirë sigurinë kolektive.

Ndërkohë, policia belge bastisi 6 ambjente në dhe përreth Brukselit, të cilat i lidh me dy nga të dyshuarit e sulmeve në Paris: Bilal Hadfi dhe Salah Abdeslam.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA