“Paqe” greko-turke; kriza e refugjatëve rrit bashkëpunimin

18/11/2015 21:50

Kryeministri i Turqisë dhe ai i Greqisë kane shpallur masa konkrete për çështjen e emigracionit të paligjshëm me një bashkëpunimin teknik greko-turk. Këto masa u morën në vizitën e parë zyrtarë të Alexis Tsipras në Ankara.

Kreu i qeverisë greke ka folur në konferencën e përbashkët për shtyp për “çështje të hapura” në marrëdhëniet dypalëshe dhe për sa i përket problemit të refugjatëve vuri në dukje se “në qoftë se nuk do të gjendet një zgjidhje politike për Sirinë, çdo gjë që të bëhet nuk mund ta përballojë problemin.

Ai ka kërkuar nga pala turke të ndalojë rrjetet e kontrabandistëve që sjellin çdo ditë me mijëra refugjatë në ishujt grekë.

“Duhen masa konkrete për të goditur në mënyrë efektive rrjetet e kontrabandistëve që janë një fyerje ndaj dinjitetit njerëzor. Sepse për të fituar para nuk hezitojnë të vënë në rrezik jetën e njerëzve. Dhe detyra parësore e Greqisë dhe Turqisë është të ndalohet kjo tragjedi njerëzore në ujerat e Egjeut”, tha Tsipras.

Nga ana e tij, kryeministri turk, duke ju referuar fluksit të pandalshëm të refugjatëve dhe duke quajtur regjimin e Asadit një regjim dhune, ka deklaruar se askush nuk duhet të hedhe peshën e problemit mbi supet e Turqisë dhe Greqisë dhe ka njoftuar se së shpejti do të ketë një takim trepalësh midis Greqisë Turqisë dhe Gjermanisë për përballimin e problemit.

Gjithashtu, Davutoglu ka deklaruar se bisedimet me homologun grek u përqendruan në katër akse për sa i përket zhvillimit të marrëdhënieve greko-turke me problemet e pazgjidhura prej dekadash që ato mbartin.

Së pari, duke krijuar axhendën pozitive për zhvillimin e marrëdhënieve të turizmit, tregtisë, energjisë dhe investimeve. Së dyti, për të adresuar çështjet që lidhen me pakicat kombëtare, detin Egje dhe Qipron. Së treti, për qëndrimin e përbashkët greko-turk për të ardhmen e Europës. Së katërti, për  bashkëpunimin në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare si Ballkani dhe Lindja e Mesme.

“Ne besojmë se Greqia do të rrisë mbështetjen për ofertën e pranimit të Turqisë në BE. Sepse ne të gjithë jemi pjesë e kontinentit europian. Pranimi i Turqisë në BE do të rrisë fuqinë dhe rëndësinë e detit Mesdhe”, tha Ahmet Davutoglu.

Të dy udhëheqësit njoftuan gjithashtu se në shkurtin e ardhshëm do të mbahet në Turqi, takimi i 4-të i Nivelit të Lartë të Këshillit të Bashkëpunimit greko-turk. Tsipras është takuar edhe me presidentin Rexhep Tayip Erdogan si dhe me liderët e partive parlamentare të Turqisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA