Prokurori i Parisit, Francois Molins deklaroi se hetimi për sulmet terroriste ka patur progres. Molins vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes forcave speciale, shërbimeve të inteligjencës dhe sistemit gjyqësor.
Përsa i përket operacionit të zgjeruar në Saint Denis ditën e mërkurë, Molins u tregua i rezervuar në dhënien e detajeve.
“Tani nuk jam në pozitën për të dhënë një version përfundimtar të operacionit, apo idenditetit të njerëzve që kanë vdekur të mërkurën, por mund t’ju them që ka patur të paktën 2 viktima. Ndërkaq janë arrestuar edhe 8 persona. Por në mesin e tyre nuk është as i dyshuari si organizatori i sulmit Abdel Hamid Abu Oud, dhe as agresori Saleh Abdeslamah”, deklaroi Molins.
Pas 5 ditësh investigim, policia ka gjetur një arsenal të pasur me armë të tipit kallashnikov si dhe veshje të mbushura me eksploziv. Po ashtu është gjetur një aparat celular që mendohet se është përdorur natën e sulmit në sallën e koncerteve Bataclan.
Mesazhi i fundit i dërguar prej tij është: “Ne jemi këtu dhe do të fillojmë”. Autoritetet dyshojnë se mesazhi është dërguar nga terroristët para se të kryenin sulmin, ndërsa po verifikojnë numrin që ishte adresuar.
Ndërkohë, sipas disa burimeve të CNN, gruaja kamikaze që u vetëhodh në erë mendohet se është e afërme e njërit prej agresorëve.
Plani i saj ishte që t’i vështirësonte punën efektivëve, me qëllim humbjen e gjurmëve. Megjithatë, AND-ja e kamikazes është duke u analizuar në një laborator të Parisit.
Ndërkaq, Franca vijon të mbajë zi. Qeveria tha se 129 viktimat tashmë janë identifikuar. Nga 352 të plagosur, 195 janë ende në spital, ku 41 janë nën kujdesin e mjekëve dhe 3 ndodhen në rrezik për jetën.
Në kuadër të reagimeve ndaj akteve terroriste, sulmet ajrore të aviacionit francez kanë vrarë të paktën 33 militantë te Shteti Islamik në Raka, fortesë e grupit terrorist në Siri.
Top Channel