“Rusia i ofroi strehim Maduros, amerikanëve iu kërkua të bënin durim”/ Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i presidentit venezuelian: Takimi në Vatikan, përpjekje për… Lajmi se njëri prej kamikazëve të Parisit ishte regjistruar si refugjat në ishullin grek të Lesbosit ngjalli menjëherë shqetësimin se ashtu sicc qe profetizuar, në radhët e njerëzve që i largohen konflikteve të përgjakshme e varfërisë, ISIS-i ka infiltruar edhe militantë të tij.
Megjithatë, presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz kërkoi të bëhet kujdes e për sulmet e përgjakshme të së premtes, të mos fajësohen refugjatët sirianë. Gjatë një interviste të dhënë në Berlin, Schulz bëri thirrje të mos vihet shenja e barazimit mes autorëve të krimit e atyre që janë edhe vetë viktima.
“Njerëzit që marrin arratinë nga Siria duke shtrënguar fëmijët e tyre në krah, njerëz që ikin nga sytë këmbët vetëm me rrobat e trupit e asgjë tjetër, i largohen mes të tjerash Shtetit Islamik, të njëjtës organizatë përgjegjëse për sulmet e Parisit. I largohen të njëjtit terror dramatik që po përjetojmë ne sot, i cili në atë zone për të cilën flasim, është thuajse pjesë e jetës së përditshme”, tha Martin Schulz, president i Parlamentit Europian.
Masakra e kryeqytetit francez nxiti thirrjet që Bashkimi Europian të mbyllë kufijtë për azilkërkuesit, por zgjidhjen e situatës, Schulz nuk e sheh tek kthimi i emigrantëve mbrapsht. Ajo sipas tij, do të gjendet duke përmirësuar nivelin e shkëmbimit të informacioneve, duke forcuar mbrojtjen e kufijëve e duke vendosur kontrolle më të rrepta të pasaportave.
Ndërkohë, nga Turqia ku mori pjesë në samitin e G20-tës, kryeministri britanik David Cameron deklaroi se dallimet e qëndrimeve mbi të ardhmen e presidentit sirian Bashar Al Assad, sa vjen e ngushtohen. Sigurisht, ka ende mosmarrëveshje mes atyre që mendojnë se Assadi duhet të largohet menjëherë e të tjerëve si presidenti Putin që vazhdojnë ta mbështesin, tha Cameron, por hendeku është reduktuar ndjeshëm e kjo është e rëndësishme. Sipas kreut të ekzekutivit britanik, ka shpresa se procesi mund të përshpejtohet por sërish, nga të dyja palët, do të nevojitet vullnet për kompromis.
Top Channel