Francë, Valls: Sulmet në Paris ishin përgatitur në Siri; identifikohet organizatori

16/11/2015 11:00

Sulmet e së premtes në Paris ishin planifikuar dhe organizuar nga Siria, ka deklaruar të hënën kryeministri francez Manuel Valls.

Ai tha se autoritetet dyshojnë se, sulme të tjera terroriste po planifikoheshin në Francë dhe në vende të tjera evropiane.

Kryeministri Valls tha se, Franca po përballet më tepër me një “ushtri terroriste” sesa me një “grup terrorist”.

“Ne e dimë që operacione terroriste po përgatiteshin dhe vazhdojnë të përgatiten, jo vetëm kundër Francës por edhe vendeve të tjera të Evropës”, ka thënë ai.

Mësohet se një gjueti e mirëfilltë po zhvillohet për të kapur atentatorët e mbijetuar të sulmeve. Shefi i qeverisë franceze nënvizoi se mbi 150 operacione blic janë kryer në zona të ndryshme të Francës gjatë ditës së hënë.

Truri i atentateve rezulton belgu Abdelhamid Abaaoud (poshtë në foto), në krye të një celule xhihadistësh të neutralizuar nga policia belge në Verviers janarin e kaluar. Këtë e konfirmojnë burime zyrtare franceze. Abaaoud, i cili dyshohet përgjegjës edhe për atentatin ndaj një treni, po janarin e kaluar u arratis në Siri.

“Ne po përdorim të gjitha mjetet ligjore që parashikon gjendja e jashtëzakonshme për të marrë në pyetje ata persona që janë pjesë e lëvizjes xhihadiste radikale dhe gjithë ata që mbështesin urrejtjen ndaj vendit tonë”, tha Valls.

Burime policore deklaruan për agjencitë evropiane të lajmeve se, policia ka bastisur një seri godinash në lagjen periferike të Parisit, Bobinji, si dhe në qytetet Grenobël, Tuluz dhe Lion.

Të dhënat paraprake flasin për arsenale të mëdha armësh të gjetura dhe persona të shumtë të arrestuar. Ndërkohë, hetuesit kanë identifikuar dy atentatorë të tjerë, Ahmad al Mohammad dhe Samy Amimour.

Al Mohammad është emri në pasaportën siriane të gjetur në trupin e një prej atentatorëve, edhe pse identiteti i tij ende nuk është verifikuar. Ndërsa Amimour thuhet se është duke u përballur me akuza për terrorizëm në Francë. Atentatorët e tjerë janë nga gjithë Europa.

Salah Abdeslam, 26 vjeç – i kërkuar nga policia

Mohammed Abdeslam – i arrestuar në Belgjikë

Brahim Abdeslam, 31 vjeç – i identifikuar si atentatori që vdiq në Bataclan

Omar Ismail Mostefai, 29 vjeç, nga rrethinat e Parisit – vdiq në sulmin në Bataclan

Bilal Hadfi, 20 vjeç – i identifikuar si atentatori që vdiq në Stadiumin e Francës

Ahmad al-Mohammad, 25 vjeç, nga Idlibi, Siri – vdqi në Stadiumin e Francës

Samy Amimour, 28 vjeç, nga rrethinat e Parisit – atentator vetëvrasës në Bataclan

Dy atentatorë të tjerë vdiqën gjatë sulmit në qytet

FOTO GALERI
1/2
Abdelhamid Abaaoud i konsideruar si pergatitesi i atentateve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA