Ekonomia iraniane goditet nga ulja e çmimit të naftës

16/11/2015 00:00

Irani është ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të naftës që
goditet më fort nga ulja e çmimit të arit të zi në tregjet globale.

Ulja drastike e çmimit detyroi qeverinë e Presidentit Hassan Rouhani që të rishikojë buxhetin për këtë vit. Përllogaritjet fillestare të buxhetit ishin bërë me 100 dollarë për fuçi, por u rishikuan duke u ulur në 72 dollarë për fuçi.

Por edhe ky rishikim është shumë larg çmimit real të naftës bruto që ka vendosur rekordin më të ulët në 6 vjet, në 46.40 dollarë për fuçi, çmim që nuk ishte hasur që nga marsi i 2009.

Kjo do të rrisë defiçitin e Teheranit dhe bashkangjitur me sanksionet ndërkombëtare që Republika Islamike vuan prej vitesh për shkak të programit të saj bërthamor do të jenë një goditje e fortë për ekonominë e drobitur vendase.

Megjithatë, Presidenti Rouhani u shpreh optimist. Ai tha se një e treta e të ardhurave në buxhet janë parashikuar nga nafta, ndërsa shtoi se të vetmet vende që dëmtohen më shumë nga ulja e çmimit janë Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit, që sigurojnë 80 deri në 90 përqind të të ardhurave të tyre nga nafta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA