Të pavërtetat e sulmeve në Paris

15/11/2015 19:00

Ashtu sikurse pas sulmeve të Charlie Hebdo në janar, shumë thashetheme dhe foto të pavërteta janë shpërndarë në rrjete sociale menjëherë pas sulmeve të së premtes në Paris.

Më poshtë do të gjeni disa nga të pavërtetat që kanë lidhje me sulmet në Francë, që edhe ju mund t’i keni hasur në rrjete sociale dhe mund t’i keni marrë si të vërteta.

Teoritë e para të konspiracionit
 
Ashtu sikurse me sulmet e Charlie Hebdo, edhe pas atyre të së premtes, filluan të dalin teoritë e para online të konspiracionit. Në Youtube, një person me nje theks amerikan, në kanalin “Russianvids: The Matrix Exposed” argumenton se asgjë nuk ka ndodhur në stadiumin e Parisit “Stade de France”.

Ai thotë se mediat, të cilat punojnë për qeverinë, po publikojnë imazhe të rrejshme të turmës që vrapon drejt fushës. “Argumenti” i tij kryesor është se nuk ka asnjë video amatore të ndonjërit prej personave në fushë, përkundër se të gjithë kanë celularë nëpër duar. 

Sigurisht, që kjo është një “argument” qesharak, pasi video amatore, nga njerëz që kanë qenë në fushë të premten në mbrëmje, janë publikuar disa orë më vonë.

I njëjti person, ka publikuar një tjetër video dhe në një tjetër kanal ku shpalos një tjetër teori absurde. Kësaj radhe, në video shihen njerëzit e plagosur në rrugët e Parisit, që ai i cilëson të gjithë si “aktorë profesionistë”, pasi sipas tij, të gjithë janë të qetë, ndërsa në situata të tilla normalisht që njerëzit i kap paniku.

Të dyja videot janë shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, sa që e para tashmë ka rreth 42 mijë shikime, ndërsa e dyta po shkon drejt 18 mijë shikimeve.

Hakmarrje ndaj refugjatëve? (Foto 1)

Në rrjetet sociale arabe janë publikuar disa foto ku shihet zjarri që ka rënë në kampin e refugjatëve në Kalais, qytetin port në veri të Francës, që ndodhi po të premten mbrëma. Shumë përdorues të Twitter kanë ripostuar këto imazhe si dhe kanë shkruar se kjo ishte një hakmarrje e francezëve pas sulmeve.

Kjo nuk ka të bëjë aspak me hakmarrje, pasi autoritetet në Kalais kanë thënë se zjarri kishte rënë aksidentalisht, kjo për shkak të përdorimit të sobave me gaz dhe zjarrit që refugjatët ndezin me qëllim ngrohjen.

Pas sulmeve, dritat e Kullës “Eiffel” u fikën? (Foto 2)

Fotot ku shihet Kulla “Eiffel” me drita të fikura u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale. Disa që shpërndanë këto foto në llogarinë e tyre, si përshkrim për foton kishin venë se dritat janë fikur për nder të viktimave, ndërsa të tjerë se terroristët kishin sulmuar kullën.

Në të vërtetë, as njëra dhe as tjetra nuk është e saktë, pasi dritat e Kullës “Eiffel” fikën çdo natë pas orës 01:00 (me kohën lokale të Parisit) . 

Foto nga koncerti në “Bataclan” (Foto 3)

Një foto ku shihet duke performuar grupi amerikan “Eagles of Death Metal” pretendohej se ishte shkrepur disa momente para se të ndodhte tragjedia në sallën e koncerteve në “Bataclan”.

Kjo nuk është e saktë. Në fakt, aty vërtetë është grupi amerikan duke performuar, por është një koncert në Dubai dhe jo në “Bataclan”.

Një person i plagosur duke tentuar të largohet (Foto 4 – Kujdes, pamje të rënda!)

Një foto, ku shihet një person që është plagosur rëndë nga mbrapa në kangjella, thuhet se është njëri nga pengjet që po tentonte të largohej nga salla e “Bataclan”. Kjo nuk është e vërtetë, pasi fotoja është bërë në Senegal para tre vitesh dhe aty është një hajdut që ishte plagosur duke tentuar të largohet nga vendi i krimit.

“Cicërima” e Donald Trump (Foto 5)

“Nuk ju duket interesante fakti që tragjedia në Paris ndodhi në vendin me kontrollin më të lartë për armët në botë?”. Po, kjo është një “tweet” i Donald Trump që u shpërnda në Twitter e që u kritikua jo pak, por kjo ishte pas sulmeve në Charlie Hedbo, ndërsa pas sulmeve të së premtes ai ka shkruar një tjetër gjë. “Lutjet e mia janë për viktimat dhe pengjet në sulmet e tmerrshme të Parisit. Perëndia qoftë me ju!”, ka shkruar ai.

FOTO GALERI
1/5
Hakmarrje ndaj refugjatëve?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA