Paris, gjendet një Seat i braktisur. Policia bastis shtëpitë e të afërmve të terroristit të identifikuar

15/11/2015 00:00

Në ditën kur Franca ka nisur 3 ditët e zisë kombëtare për të paktën 129 të vrarët e sulmeve terroriste, që lanë edhe rreth 350 të tjerë të plagosur, hetuesit bëjnë të ditur se është gjetur një makinë e zezë “Seat” në periferinë Montreuil të Parisit, e cila dyshohet të jetë përdorur nga të armatosurit që hapën zjarr ndaj restorantit.

Lajmi bëhet i ditur nga një burim për agjencinë e lajmeve “AFP”, ndërkohë që po gjatë kësaj të diele do të zhvillohet edhe një shërbesë speciale për familjet e të ndjerëve dhe për të mbijetuarit e sulmeve më të rënda terroriste, që tronditën Parisin gjatë mbrëmjes së të premtes, shërbesë që do të mbahet në Katedralen “Notre Dame”.

Gjetja e makinës “Seat” vjen vetëm një ditë pasi hetuesit francezë zbuluan edhe një “Volkswagen Polo” të zi në kufirin me Belgjikën, gjë që i detyron ata të fokusohen edhe për një lidhje të mundshme me këtë shtet, pasi policia belge arrestoi 3 persona pranë kufirit me Francën. Vokswageni ishte dhënë me qira nga një francez që jetonte në Belgjikë, bëri të ditur kryeprokurori i Parisit.

Ndërkohë, policia pariziene ka nisur gjurmimin e terroristëve të tjerë të mundshëm, pasi ndaluan të afërmit e njërit prej tyre, babain dhe vëllain, ndërkohë që shkaktarë të të paktën 129 viktimave kanë qenë 7 terroristë që mbetën edhe vetë të vdekur në sulmet e marra përsipër nga Shteti Islamik.

Raportimet e fundit bëjnë të ditur edhe për kërkime të imtësishme nëpër shtëpitë e të afërmve të njërit prej terroristëve, në verilindje të rajonit Aube në Essonne, në jug të Parisit.

Top Channel