“Tani ne jemi Paris”

14/11/2015 15:25

“Luftë në zemër të Parisit” ishte titulli i madh i Le Figaro;  “Aujourd’hui en France”, i referohej një masakre terroriste,  “Kasaphanë në Paris”, thotë Liberation; “Këtë herë është luftë vërtet” është komenti i “Le Parisien”.

“Në emër të martirëve të së premtes, të atyre viktimave të pafajshme dhe në emër të vetë republikës, Franca duhet të bashkohet; është koha për unitet”, ishte apeli i lëshuar prej të përditshmes franceze, ndërsa gazeta rajonale Republique des Pyrenees shkruante në faqe të parë: “Ne ishim Charlie, tani ne jemi Paris”.

Shtypi në mbarë botën i kishte sulmet e Francës lajm kryesor; masakër në Paris, gjakoset kryeqyteti francez, përgjaken rrugët e kryeqendrës së Francës, janë titujt e The Sun, The Independent, Daily Mirror, e shumë të tjerë, ndërsa The Economist analizon atë çfarë nënkupton për Europën nata e tmerrit në Paris, duke kujtuar se cënueshmëria e Kontinentit të Vjetër ndaj episodesh të tilla dhune buron prej luftës civile të Sirisë dhe rrezikut në rritje të shtetit islamik, të cilin e përshkruan si magnet akoma më të fuqishëm për xhihadistët sesa Al Kaeda.

Në fakt, edhe për ekspertë të Lindjes së Mesme, si gjermani Gunther Meyer, lidhja me Sirinë tek këto episode dhune është e qartë. Hollande, pikërisht këto javët e fundit bëri me dije se pati urdhëruar mësymjen e një kampi stërvitor në atë vend, ku kishte madje edhe francezë. Meyer mendon se ky i së premtes është më shumë një rast i “terrorizmit të brendshëm”, pra nga të rinj që janë rritur në Francë dhe që i janë bashkangjitur një grupimi islamist, ashtu siç ndodhi edhe në muajin janar me “Charlie Hebdo”.

Eksperti nënvizon faktin që gjendja sociale në zonat e periferisë së Parisit, të njohura si Banlieues, ku banojnë kryesisht migrantët apo myslimanë me sfond të huaj nuk është e kënaqshme. Njerëzit që jetojnë aty janë të margjinalizuar, papunësia është e lartë dhe mungesa e perspektivës, munduese, çka i kthen këto vende në terrenin ideal ushqyes për rekrutimin e terroristëve potencialë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA