Rusia u është bashkuar vendeve që kanë shprehur ngushëllimet popullit francez për viktimat e terrorit të së premtes në mbrëmje në Paris.
Zyra e shtypit e Kremlinit publikoi një letër që presidenti Putin i ka dërguar homologut të tij, Hollande.
“Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për ju personalisht dhe për popullin francez në lidhje me vdekjet e civilëve të pafajshëm si pasojë e një serie sulmesh terroriste të pashembullta në Paris”, thuhet në letrën që Putin i ka dërguar Hollande.
Shefi i Kremlinit thotë se kjo tragjedi është një tjetër provë që tregon natyrën barbare të terrorizmit dhe nevojës urgjente që komuniteti ndërkombëtarë të ndërmarrë aksione të përbashkëta dhe të koordinuara kundër këtij fenomeni.
Më herët, sipas asaj që raportojnë mediat në Rusi dhe Siri, Putin nxitoi të shprehë edhe një mendim personal mbi sulmet.
‘Ajo që Franca po vuan nga sulmi i egër terrorist, është ajo çka populli sirian po kalon prej pesë vitesh tashmë”, citohet ai.
Top Channel