Parisi, shënjestra e ISIS; nga “Charlie Hebdo” tek terrori i së premtes

14/11/2015 16:50

Vetëm 10 muaj më parë Parisi u bë skenë e një serie vdekjeprurëse sulmesh që nisën nga redaksia e revistës satirike “Charlie Hebdo”, për të vazhduar me pengmarrjen në një supermarket hebraik e vrasjen e policëve në rrugë.

Por ajo çfarë ndodhi në kryeqytetin francez mbrëmjen e së premtes është pikërisht skenari të cilit i druheshin prej kohësh shërbimet europiane të sigurisë, skenar të cilin janë përpjekur me aq forcë ta shmangin:

sulme të njëkohësishme, të pandalshme, të papritura, me armë automatike e kamikazë që godasin zemrën e një qyteti të rëndësishëm europian, duke shënjestruar disa objektiva njëherazi. Taktikë e përdorur edhe më parë në Mumbai të Indisë e gjetkë.

Por si arriti ajo në Europë? Kjo është një nga pyetjet që kërkojnë përgjigje.

A ishin agresorët shtetas francezë? Nëse po, si u radikalizuan, u armatosën e u organizuan?

Ku ndodhi kjo, në Francë apo jashtë saj? Kush i stërvit këta njerëz? Përse ata nuk u zbuluan?

Dhe pyetja tjetër e rëndësishme: a do të vazhdojë të jetë Franca, pas dy sulmesh të përgjakshme terroriste brenda vitit, shënjestra e vetme e cënueshme e militantëve?

Apo e gjithë Europa do të përballet me kërcënime të reja në vende publike apo evente që tërheqin një numër të madh njerëzish?

Ekstremistët megjithatë nuk duhet të fitojnë, thonë ekspertët. Franca, Europa, bota duhet tani të ngrihen të bashkuar dhe të godasin. Autorët, me shumë gjasë me sfond islamik, duhet të luftohen me të gjitha mjetet.

Ndërmjetësit, udhëheqësit shpirtërorë të këtyre vrasësve pa asnjë moral, pavarësisht se ku qëndrojnë ata, në Siri, në Irak apo kudo tjetër duhet të kapen dhe të eliminohen sa më shpejt.

I ashtuquajturi “Shteti Islamik” nuk i ka shpallur uftë vetëm Francës, por të gjithë njerëzve të lirë në botë, shprehen opinionistët, duke shtuar se rekrutimi i atentatorëve potencialë në mesin e të rinjve europianë është duruar shumë gjatë dhe se tani duhet vepruar më me energji kundër radikalizimit.

Të gjithë duhet të angazhohen për një arsye shumë të thjeshtë: tani, nga terrori mund të preket kushdo. Në Rusi pati të premten një alarm të tillë, Turqia ishte objektiv i sulmeve terroriste në tetor, Madridi është goditur në 2004-n dhe Londra përjetoi tmerr në vitin 2005.

Pas krizës së refugjatëve në Europë po vjen edhe kriza e terrorit, një kërcënim, të cilit nuk i njihen përmasat, ndërsa kontinenti i vjetër, tani më shumë se kurrë duhet të tregojë vërtet se qëndron e vepron i bashkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA