Analistët në Shkup vlerësojnë se niveli i arsimit shqip në Maqedoni është në gjendje alarmante. Sipas tyre, institucionet arsimore po shkojnë drejt rrënimit ndërsa studentët janë shumë pak kërkues dhe nuk reagojnë sa duhet.
Gazetarja Laura Papraniku, e cila prej shumë vitesh shkruan për problemet e arsimit në Maqedoni, thotë se pengesë e madhe për tejkalimin e kësaj situate të rëndë përbëjnë politikat diskriminuese të instaluara në Ministrinë e Arsimit shumë kohë më parë. Por, ajo kritikon dhe paaftësinë e përfaqësuesve shqiptarë për t’i ç’rrënjosur këto politika.
“Për fat të keq, cilësia në arsim në të gjitha nivelet, duke nisur nga shkollat fillore, të mesme deri tek ato të larta, është në nivele dëshpëruese. Nxënësit shqiptarë, jo për fajin e tyre, në të gjitha listat që masin njohuritë qëndrojnë në fund. E njëjta situatë është edhe në universitete, gjenden gjithmonë në fund të listave”, deklaron Papraniku.
Një problem tjetër shumë serioz përbën edhe tentativa e pushtetit për të kontrolluar tërësisht sistemin e arsimit në Maqedoni, thotë analisti Xhelal Neziri. Ai në të tilla i sheh edhe reformat që së fundmi po promovohen nga ministria e Arsimit.
“Nuk janë përpjekje për reformimin e mirëfilltë të arsimit, por janë tentativa për të vënë nën kontroll universitetet, profesorët, studentët që të gjendet një mekanizëm shantazhi që nëse një profesor, student apo rektor nuk është i dëgjueshëm ndaj partisë në pushtet, ai ose nuk do të diplomojë, ose do të përjashtohet nga puna”, deklaron Naziri.
Daljen nga kjo situatë e rëndë analistët e shohin përmes hartimit të një platforme të mirëfilltë për ngritjen e cilësisë së arsimit. Përveç problemit me cilësinë nëpër shkolla, nxënësit shqiptarë kanë nevojë edhe për më tepër objekte arsimore. Ndërkohë, ata ende mësojnë nga tekstet me përmbajtje skandaloze dhe fyese për shqiptarët.
Top Channel