Salla e koncerteve Bataclan në Paris, u shndërrua brenda natës në një skenë horrori: kush mund ta mendonte se Franca do të guxohej të goditej deri aty.
Viktimat në teatrin me kapacitetin të presë 1.500 vetë, ishin me dhjetra. “Dukej si fushë-betejë! Gjak në çdo cep, trupa gjithandej, një llahtar”, tha një nga të mbijetuarit e sulmit për “The Guardian”.
“Qëndrova i shtrirë në tokë pa bërë zë, shton ai, pranë meje ishte një djalë, ngjitur me murin dhe nuk lëvizte. Nuk di të them sa ndenjëm ashtu, por m’u duk një përjetësi”, shton dëshmitari.
Disa shpëtuan në këtë mënyrë, të tjerë janë hedhur nga dritarët e godinës. Pamjet dramatike të njerëzve që përpiqen dëshpërimisht t’u shpëtojnë plumbave, u filmuan nga një gazetar i Le Monde.
Sulme të përmasave të pashembullta, i cilësoi Francois Hollande masakrën në teatër dhe goditjet e tjera që nuk tronditen thjesht qetësinë e brishtë të kryeqytetit francez. Këto ngjarje, praktikisht, lëkundin sot e për shumë kohë ndjesinë e francezëve se në tokën e vet janë të sigurtë.
Në fillim, menduam se ishin thjesht fishekzjarre, rrëfen një i mbijetuar tjetër. “Ishte një situatë në kufijte e absurdes; në një moment je duke dëgjuar muzikë, në çastin tjetër e gjen veten përballë skenash të mirëfillta lufte”, shton dëshmitari.
“Pas zhurmave që na u duken si fishekzjarre, u kthyem e pamë prapa nesh dy djem të rinj të armatosur me kallashnikovë. Nuk ishin më shumë se 25 vjeç. Na shtrinë barkas e filluan të qëllonin njerëzit një për një. Herë pas here ndalonin. Njëri mbante veshje të zezë me vija të bardha; mund t’i shihja flokët, i kishte ngjyre kafe. Ishte tmerrësisht i qetë dhe kjo më befasoi. Pyesja veten nëse ishin duke përdorur plumba të vërtete apo jo; pastaj e pashë kur qëlloi dikë. Atëherë e kuptova”, thotë Jerome Bartelemy, i mbijetuar i masakrës.
Policia franceze beson se të gjithë agresorët kanë vdekur; shtatë të vrarë nga brezat me eksploziv, një i qëlluar prej forcave të rendit, por nuk dihet me siguri nëse ka ndonjë bashkëpunëtor që mund të jetë ende i lirë.
Për këtë arsye, përgjatë ditës muzetë, libraritë, palestrat, pishinat, tregjet dhe parku i Disneyland-it, do të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa të gjitha eventet sportive në zonat e prekura prej sulmeve në Paris janë anuluar.
Top Channel