SHBA godet kasapin e ISIS-it, nuk konfirmohet vdekja

13/11/2015 09:00

Është gjallë apo ka vdekur? Kjo është pyetja që shtrojnë të gjithë tani, pas informacioneve se forcat amerikane ndërmorën të enjten një sulm ajror me shënjestër miliantin e shumëlakuar të ISIS-it, Mohammed Emwazi.

Personi i njohur ndryshe si “John xhihadisti” është përgjegjësi i ekzekutimeve të tmerrshme me prerje koke të disa perëndimorëve të marrë peng prej Shtetit Islamik.

Gjasat që ai të jetë goditur janë tepër të mëdha, thanë zyrtarë në Uashington, të cilët sqaruan se militanti i lindur në Kuvajt dhe me nënshtetësi angleze, udhëtonte bashkë me dikë tjetër në makinën e shkatërruar nga sulmi me “drone”, diku në afërsi të Raqqasë.

Vetë Pentagoni nuk e pohon qartë vdekjen e xhihadistit, por mjaftohet me sqarimin se është duke e shqyrtuar operacionin dhe rezultatin e tij. Ndonëse fati i Emwazit nuk dihet ende, e nga ISIS-i ka pretendime se ai ka mbetur i plagosur, por është ende gjallë, kryeministri britanik David Cameron e cilësoi sulmin si një veprim mëse të drejtë.

“Po flasim për një xhelat të Shtetit Islamik, një person që ka vrarë shumë njerëz, mes të cilëve edhe myslimanë, e që kishte ndërmend të vriste edhe të tjerë. Goditja e tij është akt vetëmbrojtjeje”, ishin komentet e Cameron.

Si ekstremisti që ekzekutoi me aq sadizëm përpara kameras punonjës të thjeshtë të ndihmës e gazetarë, Mohammed Emwazi u shndërrua shumë shpejt në objektivin qëndror të agjencive amerikane dhe britanike të inteligjencës, edhe pse praktikisht, brenda ISIS-it nuk besohet të ketë pasur ndonjëherë rol ushtarak.

Nëse vdekja e britanikut konfirmohet, efekti mbi të gjithë ata që duan t’i bashkohen ISIS-t thjesht për shpirt aventure ka për të qenë i jashtëzankoshëm, mendojnë ekspertët e sigurisë. Bëhet fjalë për njerëz që duan të bëhen pjesë e diçkaje të madhe, – argumentojnë ata, – njerëz që kërkojnë t’i përkasin një grupi dhe një fryme të caktuar, por që pa dyshimin më të vogël nuk duan të vdesin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA