Paketa e zgjerimit, PE pritet ta miratojë të martën

09/11/2015 20:35

As edhe një ditë përpara publikimit të pritshëm të paketës së zgjerimit, Komisioni Europian, për herë të parë, nuk do që të konfirmojë zyrtarisht se nesër (e martë) do të publikojë draftet e përgatitura që më 10 tetor, të cilat i mban peng prej një muaji.

Më 10 nëntor, siç lajmëroi Top Channel javën e kaluar, pritet të miratohet me procedurë të shkruar paketa e zgjerimit, e cila prezantohet në mëngjes nga Komisioneri Johannes Hahn në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

Agjenda e ndryshuar (sot) e legjislativit europian përcakton se diskutimi do të jetë i hapur për mediat dhe në të pritet të marrin pjesë dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha dhe deputetët shqiptarë të cilët ndodhen në Bruksel për aktivitetin dyditor të Komitetit të 9 të Stabilizim-Asociimit PE-Shqipëri.   

Komisioni Europian përmbyll sot (e hënë) në mbrëmje, në nivelin e shefave të kabineteve të 28 komisionerëve, përcaktimin mbi rekomandimin e mundshëm ndaj Maqedonisë dhe konkluzionet mbi Turqinë.

Për Shqipërinë, siç dihej, nuk pritet ndonjë rekomandim pozitiv mbi datën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Mësohet se raporti i progresit pritet të vlerësojë me një gjuhë pozitive progresin drejt përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për vendin për të kaluar në fazën e radhës të integrimit, por në të gjitha fushat pritet të përsëritet gjithashtu nevoja për zbatim me “rezultate konkrete” dhe “gjurmë të besueshme provash”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA