Ministria e Drejtësisë, ikën Naço, vjen Manjani; Rama pranon lëvizjen e LSI

09/11/2015 14:20

Plot 35 ditë nga deklarata e Ilir Metës për “impulse të reja” në qeveri, në mënyrë të papritur një ministër i LSI-së do të linte postin. Nasip Naço, për herë të fundit si ministër i Drejtësisë i ngjiti shkallët e Kryeministrisë rreth orës 13 të së hënës, duke i paraqitur dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.

Zoti Naço qëndroi në Kryeministri për rreth 20 minuta, ku i dorëzoi kryeministrit letrën me motivet e dorëheqjes, për të cilat thuhet se ishin personale.

Rreth 30 minuta pasi zoti Nasip Naço i dorëzoi dorëheqjen kryeministrit Rama, në selinë e qeverisë mbërriti kryerparlamentari Ilir Meta, i cili solli edhe emrin e pasuesit të Naços.

Burime qeveritare pohojnë se biseda e dy aleatëve ka zgjatur 30 minuta, me Ramën që e ka mirëpritur propozimin e Metës, që numri dy i LSI-së Ylli Manjani të zëvëndësonte ministrin e dorëhequr.

Dhe menjëherë pas takimit që zhvilluan dy aleatët, në selinë e Kryeministrisë, rreth orës 14 e 24 minuta, mbërriti numri dy i LSI-së, Manjani.

Ky ishte dhe momenti i parë kur Rama zyrtarisht i komunikoi Manjanit detyrën e re si ministër i Drejtësisë dhe diskutoi me të për përfshirjen në kabinetin qeveritar. Duke dalë nga ky takim, Manjani u shpreh i rezervuar të tregonte marrjen e detyrës së re.

Por emërimi i tij ishte mbyllur në më pak se tre orë, çka konfirmohet edhe nga reagimi zyrtar i qeverisë që erdhi pasdite vonë, ku thuhet:

“Kryeministri Edi Rama pranoi sot dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, zotit Nasip Naço, duke e falenderuar atë për kontributin e dhënë në ekipin qeverisës. Më pas kryeministri Rama ka zhvilluar një takim konsultativ me bashkëkryetarin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Ilir Meta, ku kanë vlerësuar punën e ministrit Naço dhe kanë diskutuar për zëvendësimin e tij. Duke vlerësuar se kandidatura e Ylli Manjanit është më e përshtatshmja për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit, kryeministri ka diskutuar më pas me zotin Manjani përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar”.

Saga e dorëheqjes së një ministri të kabinetit Rama deri tek zëvëndësimi është mbyllur në harkun kohor të 3 orëve, duke i dhënë fund në një kohë të shpejtë çdo hamëndësimi për valë ndryshimesh apo impulsesh të reja në qeveri.

Ndërkohë, Rama në mbrëmje vijoi axhëndën me një takim ku morën pjesë disa ministra socialistë. Nga të gjitha zhvillimet e ditës, përveç pikëpyetjeve dhe hipotezave për ndryshime që mund të vijojnë edhe më vonë, ajo që mbetet e paqartë është e ardhmja politike e Nasip Naços, tashmë ish-ministër, por njëkohësisht edhe pa mandat deputeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA