Hartimi i platformës ekonomike, Basha mbledh departamentet e PD

09/11/2015 19:35

Partia Demokratike ka mbledhur pasditen e kësaj të hëne departamentet e saj, në një mbledhje ku sipas kryetarit Basha në fokus do të jetë hartimi i një platforme ekonomike, për nxjerrjen e vendit, siç tha ai, nga kriza ku ndodhet.

“Ky është një takim pune i departamenteve të PD, që lidhet me hartimin e programit. PD ka nisur hartimin e një programi ekonomik, qëllimi i të cilit është të nxjerrë vendin nga depresioni ekonomik ku e ka futur qeveria aktuale”, ka thënë Basha, i cili ka dhënë edhe disa detaje të këtij plani.

“Po shqyrtohet niveli i taksave. PD që propozon taksën e sheshtë me nivelin më të ulët në Ballkan, 9 për qind. Për biznesin e vogël parashikohet vendosja e pullës fiskale me vlerë 10 mijë deri në 50 mijë lekë të reja për bizneset, në vartësi të xhiros nga 2 në 12 milionë lekë të reja në vit. Gjithashtu ka propozime që kanë të bëjnë me nxitjen dhe financimin e prodhimit bujqësor e blegtoral, si dhe lehtësira që do të kthejnë shpresën dhe besimin tek puna për të prodhuar dhe për të nxjerrë vendin nga kjo mugëtirë”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se platforma e opozitës është në kontrast të plotë me hapat negativë, që sipas tij qeveria Rama ka marrë ndaj klimës së biznesit.

“Është konstatuar rënie pikiatë e konsumit dhe e investimeve të huaja. Në vend që të relfektojë për politikat e tij, ky kryeministër sjell në Parlament ligjet për burgosjen e biznesit dhe për rritjen e taksave ndaj biznesit dhe qytetarëve”, ka vijuar Basha.

Sipas tij, platforma që PD u ofron qytetarëve do të prodhojë më shumë mirëqënie dhe do të injektojë gjysmë miliard euro në ekonominë shqiptare, “para këto që i vjel qeveria Rama dhe më pas vidhen”.

“I kujtojmë zotit Rama, pas fjalimit të sotëm prej Nastradini, se sërish gënjen. Flet për suksese imagjinare dhe nuk jep përgjigje pse mungojnë 35 mln dollarë nga plani i shtatorit. Vetëm nga doganat për tetorin mungojnë dhjetëra milionë dollarë të tjera. Në kulmin e akisonit kundër informalitetit, qeverisë i mungojnë 1 milion dollarë në ditë, ndërsa në tërësi 250 milionë. Kjo është fatura e korrupsionit, e vjedhjes kryesisht në sektorin e naftës, cigareve, mallrave të akcizës dhe çfarëdo malli tjetër”, ka vijuar Basha.

Sipas tij, në këtë mënyrë po favorizohet një grusht klientësh të Edi Ramës, “që ndajnë paratë me ministrat dhe kreun e kësaj bande të korruptuar dhe nuk shkojnë aty ku duhet”. “Këto para nuk do të lëvizin më nga xhepat e shqiptarëve në qeverisjen e ardhshme të PD”, ka theksuar Basha.

Ai ka nënvizuar se platforma e tij do të konsultohet gjerësisht jo vetëm me qytetarët, por edhe me grupet e interesit. “Sot kemi një diskutim të brendshëm dhe më pas do të diskutojmë me to për të nxjerrë vendin nga depresioni ekonomik”, ka pohuar Basha.

Më tej, dorëheqjen e ministrit Naco, kreu i opozitës e ka komentuar kështu: “Nuk ka ndryshime në qeveri. Ndryshimet që presin shqiptarët është largimi i shkaktarit kryesor të kësaj krize. Lajmet me Naço janë një tallje e papranueshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA