Ishte vetëm një fantazi, që bota të pushtohej nga një mjet i vogël i teknologjisë së avancuar, kur në fund të viteve ’90 doli në treg “smartphone” i parë. Ky mjet i vogël e tejkaloi këtë fantazi, duke arritur që në ditët e sotme të komandojë botën nga pëllëmba e dorës.

“Smartphone” i parë që njohëm, me ekran me prekje HD dhe me një numër të pafundëm programesh, me shpejtësi të lartë interneti, u prezantua nga kompania Apple në 2007-n. Prej atëherë, zhvillimi dhe risitë e kësaj teknologjie bënë, që numri i përdoruesve të “smartphone”-ve në vitin 2013 të shkojë në 22% në rang global, nga 5% që ka qenë në vitin 2009.

Brenda këtyre 4 viteve, numri i njerëzve që përdornin këtë mjet elektronik u rrit me rreth 1.3 miliardë. Statistikat botërore parashikojnë një rritje të frikshme të përdoruesve për vitin që vjen, teksa pritet që në 2016-n numri i përdoruesve të “smartphone”-ve të shkojë në 2.16 miliardë.

Padyshim që “smartphone” e ka bërë jetën e përdoruesve më të thjeshtë.

Aq shumë janë thjeshtëzuar gjërat prej “smartphone”-ve, saqë shumë sende e mjete të vyera të pak viteve më parë, sot kanë dalë jashtë përdorimit.

“Smartphone” nuk ka eliminuar vetëm sende e mjete. Për fat të keq, ai po shtyn drejt zhdukjes disa profesione. Një prej tyre është ai i fotografit. Fatmir Veseli është pinjoll i një familjeje fotografësh, që profesionin e kanë trashëguar në breza. Babai e nëna kanë qenë fotografë. Edhe vëllai i tij, sikurse ai vetë, janë mbajtur me këtë aktivitet.

Familja Veseli ka ndërtuar një traditë të vyer mbi këtë profesion, të cilin Fatmiri as që e çon nëpër mend t’ua trashëgojë pinjollëve të tjerë.

Në një revolucion gjithmonë ka të humbur, por edhe fitues. Dhe pjesë e kësaj fitoreje, që ka sjellë revolucioni “smartphone” është edhe Age Mirukaj, 65-vjeçarja nga fshati Balldren i Lezhës.

Age ka 8 fëmijë, dy djem dhe 6 vajza. Bashkëshorti ka 10 vite që është ndarë nga jeta dhe jetën e saj, gruaja nga Balldreni e ka mbështetur te “smartphone” i saj.

Agja e ka përqafuar gjithmonë të renë e teknologjisë, pavarësisht mundësive financiare, por qasja me “smartphone”-n e saj ka qenë një sfidë më vete.

Tashmë që “smartphone” është realitet për gati 1/4-tën e popullsisë së botës, nuk mund të themi që mrekullia e teknologjisë ka përsosur ciklin. Përkundrazi, së shpejti pritet që sistemet inteligjente të na pushtojnë më gjerë. Është fakt, që brenda një dekade jeta është thjeshtëzuar kështu.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel