Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit ankimimin kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e shpalli të pafajshëm ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani për vjedhjen e 713 milionë lekëve, si dhe për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes së ish-Hotel Dajtit.
Në ankimimin e saj, Prokuroria e Tiranës, kërkon shpalljen fajtor të Fullanit për akuzën e shpërdorimit të detyrës si dhe dënimin e tij me 5 vite burgim. Në vendimin e pafajësisë, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, argumentohej se në veprimet dhe mosveprimet e Fullanit si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, që ndikuan në vjedhjen e bankës, Prokuroria nuk ka mundur të gjejë lidhjen që ish-Guvernatori ka me vjedhjen dhe për pasojë ai prezumohet i pafajshëm.
Lidhur me akuzën e shpërdorimit të detyrës me dëm ekonomik për tenderin 30 milionë euro për blerjen e Hotel Dajtit, Gjykata argumentoi se Fullani nuk ka kryer vepër penale pasi hoteli, pavaresisht çmimit të transaksionit është një aset shtetëror.
Edhe pse këto argumentime nuk janë bindëse për organin e akuzës, tanimë do të jetë Gjykata e Apelit që do t’i japë formë të prerë pafajësisë, ose dënimit të ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Top Channel