Zv.presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se nuk do të garojë për nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Biden deklaroi se, pas vdekjes së të birit, familja e tij fillimisht ishte gati ta mbështeste, por tani sipas tij nuk ka më kohë.
Ai tha se, do të ishte një gabim për demokratët t’i kthenin shpinën arritjeve të presidentit Barack Obama. Aktualisht demokratët po kërkojnë një emër alternativ ndaj atij të Hillary Clinton, kandidimi i së cilës duket një fakt i kryer.
Por megjithëse theksoi se nuk do të kandidojë, Biden nënvizoi se nuk do të rrijë i heshtur. “Kam ndërmend të flas qartë dhe fortë për atë se ku jemi si parti dhe ku duhet të jemi si vend”, tha Biden.
Ai shtoi se çdo kandidat do të bënte një “gabim tragjik” nëse do të refuzonte trashëgiminë e Obamës dhe bëri thirrje për dhënien fund të grindjeve politike.
“Besoj se duhet t’u japim fund ndasive, politikat partizane po ndajnë këtë vend”, tha numri dy i Shtëpisë së Bardhë, përkrah bashkëshortes Jill dhe presidentit Obama.
Djali i Biden, Beau, ndërroi jetë në maj si pasojë e një kanceri në tru, një tjetër tragjedi familjare kjo pas vdekjeve të vajzës së sapolindur dhe bashkëshortes së parë në vitin 1972.
Top Channel