Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje përmes të cilës shpresojnë të shmangin përplasjet ajrore të avionëve të tyre ushtarakë në Siri.
Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarë nga të dyja vendet. Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook deklaroi se, teksti i marrëveshjes do të mbahet sekret me kërkesë të Moskës, por nënvizoi se akordi do t’u mundësojë palëve që të vendosin kontakte më solide mes tyre.
Megjithatë, shtoi Cook, dy vendet nuk do të shkëmbejnë informacione mbi objektivat e tyre. “Marrëveshja garanton që mjetet ajrore të qëndrojnë në një distancë të sigurt nga njëri-tjetri”, saktësoi më tej zëdhënësi, pa dhënë detaje mbi distancat në fjalë.
Nga ana tjetër, zv.ministri rus i Mbrojtjes, Anatoly Antonov tha se, “memorandumi përmban një numër rregullash dhe kufizimesh që synojnë shmangien e incidenteve mes avionëve amerikanë dhe atyre rusë”.
Rusia nisi sulmet ajrore në Siri më 30 shtator, duke deklaruar se do të godiste militantët e Shtetit Islamik. Që atëherë të dyja palët kishin dhënë sinjale për kërkimin e një marrëveshjeje.
Vetëm javën e kaluar, zyrtarë amerikanë deklaruan se avionë nga të dyja vendet kishin hyrë në të njëjtën hapësirë ajrore dhe ishin gjendur fare pranë njëri-tjetrit.
Top Channel