Presidenti kinez Xi Jinping ka nisur vizitën e tij të parë në Britaninë e Madhe, ku po pritet në një ceremoni madhështore ku është e pranishme edhe vetë mbretëresha.
Zoti Xi dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan, morën pjesë në një kortezh nga Shëtitorja deri në Pallatin Buckingham, ku më vonë do të mbahet një banket.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se bashkëpunimi me Kinën bëhet për “interesa kombëtare”.
Vizita e Xi vjen në një kohë kur në Britani po verifikohet një humbje e vendeve të punës në sektorin e çelikut, për të cilën faji pjesërisht i atribuohet importeve me kosto të lirë kineze.
“Tata Steel”, një ndër kompanitë më të njohura në këtë fushë, paralajmëroi së fundmi shkurtimin e 1.200 vendeve të punës. Kryeministri David Cameron ka deklaruar se do ta trajtojë çështjen në bisedimet me zotin Xi.
Lideri kinez u mirëprit nga mbretëresha, duka i Edinburgut dhe zoti Cameron gjatë ceremonisë në marshimin e Gardës Kalorsiake, ndërsa 41 topa u shkrehën në shenjë nderimi në Parkun e Gjelbër. Ai pritet të zhvillojë një takim kokë më kokë me monarken britanike.
Ndërkohë, ministrat e Mbretërisë së Bashkuar presin që gjatë vizitës së delegacionit kinez të firmosen marrëveshje tregtare dhe investimesh me vlerë 30 miliardë stërlina.
Top Channel