Kushtet e rënda, Sllovenia e Kroacia hapin kufijtë për refugjatët

20/10/2015 05:40

Sllovenia u lejoi kalimin mbi 5000 emigrantëve të bllokuar në kufi, në kushtet e një moti të ftohtë e me shi. Vendimi për lehtësimin e kufizimeve të lëvizjes së refugjatëve erdhi orët e vona të së hënës, kur një hap të ngjashëm hodhi edhe Kroacia fqinje.

Të dy vendet i ashpërsuan ndjeshëm kontrollet kufitare gjatë fundjavës, pasi Hungaria bllokoi kufirin e saj me pretekstin e arsyeve të sigurisë, duke i detyruar kështu emigrantët të merrnin rrugën më të gjatë e të ngadaltë, përmes Sllovenisë, për të mbërritur destinacionet e preferuara: vendet e pasura në qendër të Europës, si Austria e sidomos Gjermania.

Se përse e lejoi papritur Kroacia hyrjen në masë të të ardhurve, kjo ende nuk është shumë e qartë. Melita Sunjiç, një zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për refugjatët, UNHCR, e cila ndodhej në pikën kufitare të Berkasovos, tha se “kufijtë u hapën pa asnjë lajmërim dhe, kur kjo ndodhi, të gjithë u dyndën të kalonin në anën tjetër”.

Lëvizja e Budapestit, jo vetëm shtoi vuajtjen e mjerimin e emigrantëve të dëshpëruar, për të cilët rrugëtimi edhe deri këtu i mundimshëm u bë mjaft më i gjatë, por ka krijuar mosmarrëveshje edhe mes dy vendeve fqinje.

Autoritetet sllovene kritikuan më herët kroatët, sepse lejuan grupe të mëdha refugjatësh të kalonin kufirin, duke shkelur kështu marrëveshjen për kufizimin e transferimeve të tilla në jo më shumë se 2500 persona në ditë.

Zagrebi mbrohet me argumentin se, vendimin për hapjen e kufirit e mori pas paralajmërimeve të punonjësve të ndihmës, se kushtet e emigrantëve të bllokuar mes të ftohtit e shiut të dendur ishin të tmerrshme.

Ndërkohë, një ditë më parë, 10 mijë emigrantë të tjerë hynë në Serbi nga Maqedonia, numër ky më i madh sesa mesatarja e përditshme e këtyre muajve. Deri nga fundi i vitit, BE-ja mund të presë rreth 700 mijë migrantë, që largohen nga lufta dhe varfëria nga vende, si Siria dhe Afganistani, e ndërkohë krerët e bllokut ende nuk kanë dalë dot me një plan të fuqishëm, për zgjidhjen e krizës dhe shpërndarjen e barabartë të refugjatëve mes 28 vendeve anëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA