Liderja e Frontit Nacional Francez, Marine Le Pen është shfaqur në gjykatën e Lionit për t’u përgjigjur ndaj akuzave për nxitje të urrejtjes racore.
Le Pen duhet të japë llogari për krahasimin që i bëri myslimanëve që luteshin në rrugë me pushtimin nazist, në një tubim të vitit 2010, kur po luftonte për marrjen e kreut të partisë.
Deklaratat e zonjës Le Pen kundër emigrantëve dhe kundër Bashkimit Evropian po gjejnë gjithnjë e më shumë mbështetje në Francë. Partia e saj shpreson të fitojë dy rajone të Francës në zgjedhjet lokale që mbahen në dhjetor.
Jashtë gjykatës, ajo insistoi në qëndrimin e saj se nuk kishte përmendur ndonjë fyerje dhe vuri në dyshim seriozitetin e gjykatës. “Jemi një muaj larg zgjedhjeve lokale, ndërsa kjo çështje daton 5 vjet më parë”, tha Marine Le Pen.
Ndërkohë, një sondazh i publikuar në fundjavë sugjeronte se mbesa e saj, Marechal Le Pen, mund të marrë nën kontroll rajonet kyçe në jug të Francës si Provencën, Bregun e Kaltër dhe Alpet.
Alarmi i rritjes së pushtetit të Frontit Kombëtar nxiti presidentin Francois Hollande që të paralajmëronte Francën që të mos rrezikonte duke mbështetur të djathtën ekstreme.
“Mos luani me votën vetëm për të dërguar një mesazh, vetëm sepse keni pakënaqësi apo inat. Për investitorët, tregtinë me jashtë, vendet e punës dhe rritjen ekonomike do të ketë pasoja serioze”, tha Hollande për një radio franceze.
Top Channel