Pas shumë ankesash të azilkërkuesve se nuk po trajtohen si duhen nga vendet pritëse, një skandal ka përfshirë Suedinë. Kompanitë private të cilat janë kontraktuar nga qeveria për të strehuar dhe mirëmbajtur refugjatët, janë akuzuar për rritje çmimesh në përpjekje për të përfituar nga situata e dëshpëruar.
Ministri suedez i emigracionit, Morgan Johansson, gjithashtu u shpreh se ofruesit privat të strehimit janë duke mbushur “xhepat e tyre”, ndërkohë që janë në dijeni se kërkesa për shtëpi dhe shtretër është shumë e lartë për shkak, se vetëm në një javë Suedia pret 9 mijë azilantë.
Edhe sipas disa zyrtarëve të tjerë vendas, ky tashmë është kthyer në një sektor të madh përfitimi dhe shansi për të fituar para shpejt është shumë i mirë, kjo sepse qeveria do të paguajë faturat. Në këtë valë përplasjesh me sektorin privat, aktualisht autoritetet janë duke i strehuar refugjatët e rinj që vijnë nëpër tenda derisa kompanitë të ndalojnë rritjen e çmimeve.
Një vorbull e tillë, ka përfshirë edhe Gjermaninë. Për gazetarin gjerman, Udo Ulfkotte, gjithashtu autor i librit “Industria e azilantëve”, kjo situatë shkon edhe më tej, pasi sipas tij, politikanët janë ata që kanë në duar pjesën më të madhe të fondeve. Gazetari është diskret për vendndodhjen e tij pas shumë kërcënimeve që ka marrë, se do ta vrasin.
“Media dhe politikanët gjithmonë na thonë se trafikantët e refugjatëve apo akomoduesit e strehimit janë ata që bëjnë biznes. Më vjen për të qeshur kur i dëgjoj, pasi përfituesit e vërtetë janë politikanë, kompanitë e mëdha të lidhura me ta, apo edhe gazetarët vetë”, thotë gazetari gjerman.
Ky eksod refugjatësh është shoqëruar thuajse çdo javë me deklarata nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera, të cilët kanë bërë të ditur fonde të majme si suport për shtetet që kanë fluksin më të madh të sirianëve. Këto shifra kapin vlerën nga 3- 4 miliardë euro.
Kostoja e mbajtjes së një refugjati, nuk përfshin vetëm akomodim, por edhe shërbime të tjera si shërbime shëndetësore, apo edukim për fëmijët. Akomodimi i një personi kap minimalisht shifrën nga 5 mijë paund ose më shumë, kjo në varësi të moshës së tij, pasi kostoja për të mbajtur një fëmijë refugjat në një vend të unionit është tepër e lartë. Por në këtë vorbull fondesh, krahas qeverive janë edhe shumë organizata ndërkombëtare që asistojnë në krizën e refugjatëve. Komisioni Europian thuajse i ka dyfishuar burimet financiare për të përballuar krizën e refugjatëve:
Fondet e Komisionit Europian për krizën e refugjatëve
– 100,000,000 € më shumë ndihmë për shtetet anëtare që presin refugjatë
– 600,000,000 € më shumë për agjencitë e lidhura me BE-në
– 200,000,000 € më shumë për Programin Botëror të Ushqimit
– 300,000,000 € më shumë për organizatat humanitare
– 300,000,000 € miliardë € për Turqinë dhe vendet me fluksin më të madh të refugjatëve.
Top Channel