Turqia rrëzon një avion të paidentifikuar në kufi me Sirinë

16/10/2015 13:15

Avionët luftarakë të Turqisë kanë rrëzuar një mjet të paidentifikuar ajror që kishte shkelur hapësirën ajrore të vendit pranë kufirit me Sirinë.

Raportet në media tregojnë se bëhet fjalë për një avion pa pilot, por të dhëna më të sakta ende nuk ka.

Në zonën ku u rrëzua avioni lëvizin zakonisht avionë pa pilotë të regjimit sirian, por hapësira përdoret edhe nga avionët rusë apo ata të koalicionit anti-ISIS.

Sidoqoftë, shtypi turk thotë se droni duket të jetë një model i vogël joushtarak. Ankaraja thotë se avioni i panjohur ishte paralajmëruar tre herë përpara se mbi të qëllohej për shkelje të hapësirës ajrore të vendit.

Moska nxitoi të deklaronte se nuk mungon asnjë nga mjetet e saj fluturuese në rajon. Në Uashington besohet se droni ka qenë rus. Më herët, gjatë muajit, Turqia akuzoi në dy raste avionët rusë për shkelje të hapësirës së saj ajrore, incidente këto që u dënuan ashpër edhe nga NATO.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA