Gjermani, ndryshon ligji për azilin

16/10/2015 12:20

Bundestagu gjerman ndërmori për të parën herë që prej vitit 1993 ndryshime thelbësore në ligjin e azilit. “Deutsche Welle” citon ministrin e Brendshëm Thomas de Maiziere të sqarojë se dëshira e Berlinit është të mos shtrohen fare kërkesa nga ata që nuk kanë perspektivë për njohjen e së drejtës së azilit.

Në thelb, paketa ligjore synon përshpejtimin e vendimmarrjes si për ata që e fitojnë të drejtën e shumëlakmuar, ashtu edhe ata të cilëve u refuzohet. Kush nuk ka të drejtë për azil, sipas përfytyrimit të ministrit të Brendshëm, duhet të kthehet shpejt në vendin e origjinës. Kush ka të drejtë për azil, duhet të mund të integrohet më shpejt dhe më mirë. Pikat më kryesore të ligjit janë:

1- Deri sa të vendoset statusi i tyre, refugjatët në të ardhmen duhet të qëndrojnë në strehat e pranimit fillestar.

2- Kërkesat duhet të shqyrtohen shumë më shpejt sesa deri tani.

3- Federata merr përsipër t’ua heqë një pjesë të madhe të kostove komunave të mbingarkuara.

4- Joshjet artificiale duhen shmangur në mënyrë që të mos ketë aplikime azili për arsye ekonomike. Në funksion të kësaj, është vendosur të mos ketë më ndihma në para’ gjatë periudhës që shqyrtohet kërkesa e azilit, por asistenca të jetë kryesisht në natyrë në formën e kuponave apo të ushqimit.

Dy do të jenë kategoritë e refugjatëve në të ardhmen: refugjatë nga vendet e treta të sigurta këtej e tutje do të kenë më pak shanse për qëndrim në dallim me ata që kanë “perspektivë pranimi”. Atyre, njohja e azilit të të cilëve është e mundshme, do t’u ofrohen më shpejt kurse gjuhe dhe integrimi dhe do të lejohen më shpejt të hyjnë në punë. Refugatët nga vendet e treta të sigurta në të kundërt nuk do të lejohen të punojnë.

Ndërkohë, ende është në diskutim krijimi i të ashtëquajturave “zona tranziti” në kufi, ku refugjatët do të duhet të qëndronin derisa të merrej vendimi për kërkesën e tyre pa hyrë fare në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA