Duke përmbysur politikën e premtuar vite më parë për Afganistanin, Presidenti Barack Obama deklaroi se ai do të ngadalësojë ritmin e tërheqjese se trupave amerikane nga atje.
Pas disa javësh përkeqësimi të situatës në Kabul, Obama u shpreh i vendosur për të mbajtur numrin e tanishëm të trupave, rreth 9,800 gjatë pjesës më të madhe të vitit 2016, para se ta shkurtojë atë në 5,500 kur të largohet nga detyra në janar të vitit 2017. Teksa vlerësoi punën e personelit ushtarak të SHBA-vë në rajonin e trazuar për 14 vite , Obama deklaroi:
“Forcat tona ushtarake zmrapsen talebanët me qëllim që afganët të mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre sërish, të çonin vajzat e tyre në shkollë. Por, sot trupat tanë nuk patrullojnë më në këto zona, tashmë misioni i sigurisë i përket forcave afgane. Siç e kam thënë edhe më parë, pavarësisht se misioni ynë në Afganistan mund të jetë drejt fundit, përgjegjësia jonë ndaj afganëve nuk ndalet me kaq, ajo vazhdon”, deklaroi Obama.
Duke e cilësuar këtë mision si jetik ndër të tjerash, Barack Obama u zotua se nuk do të lejojë që streha terroriste të jetë prezente në Afganistan, dhe për t’i dhënë drejtim kësaj situate, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se forcat amerikane tani e në vazhdim kanë përgjegjësinë e dy misioneve të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Së pari, trajnimin e forcave afgane; dhe së dyti, mbështetje në operacionet kundër terrorizmit dhe lidershipit të mbetur të Al-Qaidas.
“Forcat afgane të sigurisë vazhdojnë të stepen dhe nuk janë ende aq të përgatitura sa duhet në misionin e tyre. Situata e sigurisë në vend është ende shumë e brishtë dhe ekziston rreziku i përkeqësimit”, vazhdoi Presidenti amerikan.
Forcat amerikane do të vendosen në katër lokacione, në Kabul, Bagram, Jalalabad dhe Kandahar.
“Në fund, qeverisja është edhe themeli i një vendi stabil. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Presidentin Ghani. Vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie të fortë dhe ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj”, u shpreh Obama.
Presioni militant është rritur në Afganistan, pasi NATO përfundoi misionin e saj luftarak atje në dhjetor te vitit 2014, duke lënë kryesisht trupat amerikane, si aleate të afganëve në operacionet kundër terrorizmit.
Top Channel