Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një koferencë për shtyp, deklaroi se është i gatshëm të ndërmarrë gjithë hapat e nevojshëm për të ndaluar valën aktuale të dhunës që ka kapluar Jeruzalemin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përfaqësues John Kerry, do të jenë edhe ndërmjetësuesit e konfliktit të rindezur mes palëve.
“Unë jam i hapur për t’u takuar me Mahmoud Abbas dhe liderë të tjerë arabë. Mendoj se është potencialisht i dobishëm një takim i tillë sepse situata po rëndohet. Prej kohësh i kam kërkuar Abbas për të folur rreth bisedimeve të ngecura të paqes. Theksoj se jam i gatshëm për të ripërtrirë negociatat”, deklaroi Netanyahu.
Por, për Netanyahu-n nuk është mungesa e horizontit politikë ajo që ka rindezur dhunën, por menaxhimi i keq i saj ka sjellë situatën deri këtu. Netanyahu hodhi poshtë komentet e Presidentit palestinez Mahmoud Abass se qeveria e tij është duke e tepruar me forcën në Jeruzalem.
Kryeministri tha se Izraeli është duke përdorur “saktësisht të gjithë forcën legjitime”, sikurse do të kishte vepruar çdo qeveri tjetër po të përballej me një situatë të tillë.
Po ashtu, duke iu referuar rastit specifik të 13-vjeçarit palestinez, Ahmed Manasrah, për të cilin Abbas pretendon se është ekzekutuar nga forcat izraelite, Netanyahu e mohoi.
“Së pari, ai nuk ka vdekur, është gjallë. Dhe mbi të gjitha, ai nuk është i pafajshëm sepse po mundohej të vriste një tjetër person, i cili ishte vërtetë i pafajshëm”, vazhdoi Netanyahu.
Rasti Manasrah është mediatizuar tepër nga palestinezët duke e bërë si objekt qëndror të një lufte propagandistike, duke pretenduar se Izraeli krahas masakrave të tjera ekzekuton edhe fëmijë të pafajshëm.
Top Channel