Papa Françesku ka kërkuar një ndjesë publike të papritur për skandalet e fundit të verifikuara “në Romë ose në Vatikan”.
Ai kërkoi falje në audiencën e përgjithshme të javës në sheshin Shën Pietër, por nuk saktësoi se cilit skandal i referohej.
Mediat evropiane aludojnë për një prift të vjetër polak që u shkarkua nga posti në Vatikan pasi njoftoi se ishte përfshirë në një marrëdhënie homoseksuale.
Ndërsa zëdhënësi i atit të shenjtë deklaroi se ai nuk i referohej rastit të dorëheqjes së ditëve të fundit të kryetarit të Bashkisë së Romës.
Federico Lombardi pranoi se ndjesa e Papës kishte qenë e “gjerë dhe gjithëpërfshirëse”, por nënvizoi se nuk u referohej rasteve politike ku ishte përfshirë kryebashkiaku Ignazio Marino, që bënte fjalë për abuzim me shpenzimet.
“Papa Françesku po u referohej skandaleve në të cilat kanë përgjegjësi njerëzit e Kishës”, vijoi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë.
Rreth 2 mijë persona ishin mbledhur për fjalimin e përjavshëm të Papës. “Përpara se të filloj Katekizmin, në emër të Kishës, unë dua të kërkoj faljen tuaj për skandalet e ndodhura së fundmi në Romë ose në Vatikan. Unë ju kërkoj të falur”, tha Papa Françesku.
Ai gjithashtu u shpreh: “Fjala e Jezusit është e fortë sot, mjerë bota për skandalet. Jezusi është realist, ai thotë se të pasurit e skandaleve është e pashmangshme. Por mjerë njeriu që i kryen ato skandale”.
Top Channel