
Dy javë më parë, Rusia befasoi botën me ndërhyrjen në Siri. Amerikanët vetë e mësuan vetëm një orë përpara se bombat e saj të binin mbi Homs. Ky ishte një tjetër hap dramatik në politikën e tij të jashtme, gjithmonë e më kategorike, të Vladimir Putinit.
Megjithatë, sekretari i shtypit i Barack Obamës, lëvizjet e Moskës i përshkroi si të motivuara nga “dobësia”, më tepër sesa nga forca. A ka të drejtë? BBC pyeti 4 ekspertë dhe, prej të parit prej tyre, diplomatit amerikan William Courtney, mori përgjigjen e shkurtër e të qartë: Po, Moska është e dobët.
Rusia është mbështetur tradicionalisht te Siria, Iraku, Irani e Libia, e duke qenë se këto vitet e fundit Perëndimi ka hequr nga rruga Moamar Gaddafin e Sadam Husseinin, ndërsa marrëveshja bërthamore e afron tani dhe me Iranin, Moskës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mos ketë pritshmëri të mëdha nga marrëdhëniet me 3 prej këtyre vendeve në të ardhmen.
Siria është e vetmja që i mbetet, arsyeton Courtney. Nga 4 aleatët e vetë të hershëm në Lindjen e Mesme, sot Putin në krah ka vetëm Bashar al-Assadin.
Rusia vazhdon ta shohë veten si superfuqi, – shton diplomati, – por gërryerja e influencës në rajon ia sfidon ndjeshëm këtë koncept, ndaj dhe Kremlini doli me vendimin e guximshëm të ndihmojë fuqizimin e qeverisë së Assadit.
Ish-gazetari rus Andrei Kolesnikov, aktualisht ekspert i politikave të brendshme pranë “Think Tank”-ut “Carnegie Centre” në Moskë, evidenton dobësinë e Moskës, por në një tjetër aspekt: atë ekonomik.
Rusia është një vend me burime të jashtëzakonshme natyrore, – kujton ai. – Vetëm se, aktualisht, përballet me probleme të mëdha: rritja e ekonomisë është dobësuar, standardet e jetejës kanë rënë, vazhdon të mbetet e varur nga çmimi i naftës dhe gazit, e pikërisht nafta është burimi i problemeve të saj të ditës.
Duke qenë se pakënaqësia në popull sa vjen e shtohet, Putin ofroi marsin e 2014-s si një lloj kontrate sociale: Krimea në këmbim të lirive. Tani po përpiqet të artikulojë shtojcën e kësaj kontrate: konflikti sirian në këmbim të lirive.
Alexander Korolev, studiues në Universitetin kombëtar të Singaporit, mendon se e gjitha ka lidhje me Kinën. Një politikë e re po zë fill nëpër botë, ku ideali i Putinit për një Europë të madhe, që shtrihet nga Lisbona në Vladivostok, është duke u zëvendësuar nga Azia e madhe, që shkon nga Shanghai në Shën Pjetërburg, vëren Korolev. Të mos harrojmë ato dy marrëveshjet gjigante të energjisë, që ka firmosur Moska me Pekinin në vitet 2013-2014, apo faktin që Kina po siguron qasje në fushat ruse të naftës e gazit.
Hannah Thoburn, e “Think Tank”-ut “Hudson Institute” në Uashington, i mendon situatat më thjeshtë. Sipas saj, Putini kërkon respekt. Pozicionin e vështirë të Europës dhe zbrapsjen e Amerikës nga angazhimet në Siri, ai i pa me oportunizëm, që të shfrytëzonte – sipas saj, – momentin për t’u shfaqur si një udhëheqës i vendosur, ndaj të cilit njerëzit tërhiqen gjithmonë.
Top Channel