Izrael, një tjetër ditë terrori; dy sulme të reja në Jeruzalem

13/10/2015 12:25

Për Izraelin, kjo e sotmja ishte një tjetër ditë terrori. Dhuna ngriti krye sërish dhe skenë e saj është bërë edhe një herë Jeruzalemi.

Bilanci i dy sulmeve të njëkohësishme, njëri në bordin e një autobusi dhe tjetri në stacion, është të paktën 1 i vrarë e 20 të plagosur, 8 nga të cilët në gjendje të rëndë.

Dy agresorët palestinezë, që për sulmin e tyre përdorën si armë zjarri, ashtu edhe thika, mësohet të jenë vrarë nga policia.

Po mëngjesin e sotëm pati disa të plagosur nga një burrë që i sulmoi papritur në veri të Tel Avivit, në Ra’anana. Mësohet se atë vetë e ndaluan disa kalimtarë të rastit, të cilët dhe e rrahën shumë keq.

Tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve nisën të përshkallëzohen që muajin e kaluar, të nxitura prej përplasjeve në xhaminë Al Aksa, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.

Por fillimi i tetorit ka sjelle një valë të re sulmesh, sidomos me armë të ftohta, prej të cilave kanë humbur jetën disa izraelitë në Jeruzalem e në pjesë të tjera të Bregut Perëndimor.

Ashpërsimi i masave të sigurisë nga izraelitët ka shtuar nga ana tjetër indinjatën e palestinezëve, përleshjet me këta të fundit e për rrjedhojë edhe rëndimin e bilancit të vdekjeve në radhët e tyre. Kjo spirale e re dhune vjen pas një periudhe relativisht të gjatë qetësie.

Gjithçka nisi në mesin e shtatorit, kur përplasjet në vendin e shenjtë në Jeruzalem, në rrënjë patën thashethemet e përhapura mes palestinezëve se izraelitët po përpiqeshin të ndryshonin marrëveshjen fetare afatgjatë për zonën në fjalë, pretendime këto të cilat autoritetet hebraike i hodhën poshtë, duke i cilësuar si të paverteta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA