Ishte në Facebook ndërsa i biri 2 vjeç mbytej në një pellg në oborrin e shtëpisë; një pakujdesi e tillë me pasoja dramatike do t’i kushtojë 31-vjeçares britanike Claire Barnett 5 vjet nga jeta.
Kaq është dënimi i dhënë gruas, djali i së cilës, Joshua Barnett, vdiq në 17 mars në shtëpinë e tij në East Yorkshire. Vogëlushi ishte duke luajtur kur rrëshqiti e ra në pellgun e kthyer në kurth vdekjeprurës për të, për shkak të moshës së vogël.
Gjykatësi e kritikoi ashpër nënën e djalit, duke e cilësuar “një prind shumë të keq”. Claire ishte përpjekur ta shpëtonte të birin, por kishte mbërritur shumë vonë. I mituri ndërroi jetë në spital një ditë pas ngjarjes. Hetimet treguan se në ato momente vendimtare, gruaja kishte qenë krejtësisht e harruar me profilin e vet në Facebook, ku po shkarkonte dy fotografi e i ishte përgjigjur edhe një telefonate të të fejuarit.
Gjatë procesit gjyqësor dolën në dritë detaje të tjera të sjelljes së 31-vjeçares. Nga dëshmitë e fqinjëve u mësua se Claire e lejonte Joshuan dhe fëmijët e tjerë të saj të luanin në mes të rrugës, ku në disa raste kishin rrezikuar të goditeshin nga makinat që kalonin aty, e për këtë arsye, edhe ishin thirrur punonjësit e shërbimeve sociale.
Gjykatësi i çështjes u kujdes t’ia bënte të qartë se i biri vdiq vetëm për shkak të neglizhencës së saj, çka duhet t’i rëndojë në ndërgjegje për të gjithë jetën.
Top Channel