Me mijëra vetë protestuan në Berlin kundër planeve për një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Shteteve të Bashkuara dhe bllokut europian. Organizatorët e tubimit e vendosin në 250.000 numrin e pjesëmarrësve; policia thotë se ishin rreth 100.000.
Kundërshtarët e partneritetit trans-Atlantik të tregtisë dhe investimit e shohin paktin si jodemokratik e që kërcënon, për më tepër, sipas tyre, konsumatorin e të drejtat e punëtorëve.
Mbështetësit e ujdisë, që tkurr barrierat tregtare, argumentojnë nga ana e tyre se marrëveshja do t’i japë një shtysë të rëndësishme ekonomive përkatëse e do të krijojë vende të reja pune.
Me qindra autobusë sollën një numër të madh protestuesish të shtunën në kryeqytetin gjerman. “Jemi këtu sepse nuk duam ta lëmë të ardhmen tonë tregjeve, por përkundrazi, duam të shpëtojmë demokracine”, i tha AFP-së presidenti i organizatës “Miqte Gjermanë të Natyrës”, Michael Mueller.
Vetë ekzekutivi gjerman e mbështet paktin tregtar, e madje ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel paralajmëroi në një letër të botuar nga disa gazeta vendase, ndaj atyre që i cilësoi si përpjekje për të frikësuar opinionin publik mbi atë çfarë përfaqëson marrëveshja në të vërtetë.
Bisedimet mbi këtë të fundit duhet të përmbyllen vitin e ardhshëm. Nëse palët do të bien dakort, TTIP-ja do jetë marrëveshja më e madhe tregtare e këtij lloji në histori.
Top Channel