Gratë që kanë fituar çmim Nobel në letërsi

08/10/2015 18:30

Svetlana Alexievich është e para gazetare që fiton çmimin Nobel në letërsi. Ajo renditet e 14 në listën e femrave që kanë marrë këtë vlerësim nga Akademia e Shkencave në Suedi. Si gazetare investigative, ajo është bërë e njohur me librin “Zëra nga Çernobili”, ku ndër të tjera shkruan “Më tregoni një novelë të imagjinuar për Çernobilin, nuk ka asnjë sepse realiteti është më shumë sesa fantazi”.

Për herë të parë një grua fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1909, Selma Lagerlöf. Është e njohur thënia e saj: “Asgjë në botë nuk mund t’ ju bëjë “make up” kur keni humbur dikë që ju ka dashur!”

Sipas një legjende të lashtë në Sardenjë, trupat e atyre që kanë lindur në prag të Krishtlindjeve kurrë nuk do të shpërbëhen në pluhur, por do të ruhen deri në fund të kohës. Kjo është një ndër thëniet më të famshme të fitueses së çmimit Nobel në letërsi në vitin 1926, Grazia Deledda.

Dy vite më vonë, sërish fituesja do të ishte një femër. Sigrid Undset është e fmashme për pikëpamjen e saj për shkollën: “Unë shkova në një shkollë sepse babai im ishte në dijeni se ditët e tij ishin të numëruara dhe ai ishte i shqetësuar për mua që të merrja një edukim të mirë e të ndiqja hapat e tij. E urreja shkollën aq intensivisht, ajo ndërhynte në lirinë time.”

Të gjesh lumturinë në punë është si të zbulosh burimin e rinisë. Kështu shprehej fituesja e çmimit Nobel në vitin 1938, Pearl Buck.

Gabriela Mistral ishte fituesja e radhës femër në vitin 1945. Dashuro të bukurën, thoshte ajo, është hija e zotit në univers.
 
U deshën 21 vite që Nelly Sachs të sillte Nobelin e Letërsisë te femrat, në vitin 1966. Ajo thotë: “Ne e frymëzuam ajrin e lirisë pa njohur ndonjë gjuhë apo njeri”.

Ndërsa më shumë se dy dekada më vonë, më 1991 femra e radhës fituese ishte Nadine Gordimer. Sipas saj, “e vërteta nuk është gjithmonë e bukur, por uria për të është gjithmonë e tillë”.
 
“Pasioni nuk është kurrë i mjaftueshëm e nuk është as aftësi. Nëse dëshiron të fluturosh duhet të heqësh dorë nga gjërat që të mbajnë poshtë”. Kështu shprehet Toni Morrison, fituese e çmimit Nobel në vitin 1993.

Një tjetër grua e dashuruar me librat tiumfoi në vitin 1996. Wislawa Szymborska thotë: “Unë jam e modës së vjetër dhe mendoj se leximi i librave është mënyra më e mirë që ka shpikur njerëzimi për të kaluar kohën”.

Në listën e fitueseve nuk mungojnë ato që mund mbështesin feminizmin. Elfriede Jelinek, fituese në vitin 2004, thotë: “Unë nuk luftoj kundër burrave, por kundër sistemit që është seksist”.

“Çfarëdo që ju jeni duke menduar për të bërë, bëjeni tani. Kushtet janë gjithmonë të pamundura”. Kështu thotë Doris Lessing, fituese e vitit 2007.

Dy vite më vonë, sërish ishte një femër, Herta Müller. Sipas saj, çfarë nuk mund të thuhet, mund të shkruhet. Sepse të shkruarit është një akt i heshtur, një punë nga koka te dora.

Fituesja e fundit femër ishte në vitin 2013: Alice Munro. Është e famshme shprehja e saj: “Gjithmonë mbani mend se kur një burrë ikën nga shtëpia, ai lë gjithçka pas… Kur një grua largohet, ajo merr me vete çdo gjë që ka ndodhur aty”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA