Ndeshja me Serbinë, policia shpall planin e masave

05/10/2015 15:15

Drejtoria e Policisë së Elbasanit ka marrë një sërë masash organizative në kuadër të sigurimit të rendit dhe për zhvillimin sa më normal të ndeshjes Shqipëri-Serbi, e cila luhet më datë 8 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan  Arena”.

Përmes një njoftimi për shtyp, drejtoria sqaron se, duke filluar nga ora 8 e mëngjesit e datës 8 do të ndalohet qarkullimi rrugor tek bulevardet “Qemal Stafa” dhe “Aqif Pasha”, si dhe në aksin rrugor nga ish-Konservimi i vjetër deri tek Harullajt.

Gjithashtu, saktësohet në njoftim, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve nga rrethrrotullimi i Luleve deri tek ai i Zaranikës; përreth dhe përballë stadiumit; si dhe përgjatë dy bulevardeve kryesore.

Gjithashtu, policia njofton se hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 16:30, me qëllim shmangien e radhëve të gjata. Ata do të kontrollohen të gjithë në hyrjen e stadiumit dhe duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe, monedha apo metale.

Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 1.500 punonjës policie, nga të cilët 308 nga Drejtoria e Elbasanit. Gjithashtu, të gjitha lokalet në zonat e sipërpërmendura do të jenë të mbyllura nga ora 12:00 deri në përfundim të ndeshjes, ndërsa në pallatet përreth nuk do të lejohen persona që nuk janë anëtarë të familjeve që jetojnë në to.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA