Edhe Franca ka shprehur dyshimet e saj mbi objektivat realë të Rusisë në operacionet e saj luftarake ajrore në Siri.
Franca është pjesë e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, si pjesë e bombardimeve ndaj pozicioneve të ISIS-it në Siri dhe Irak.
Një ditë më parë Shtetet e Bashkuara deklaruan se Moska është duke shënjestruar pozicionet e rebelëve anti-Assad që mbështeten nga Perëndimir, ndërsa Moska reagoi përmes ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov që tha se avionët rusë po godasin të njëjtat grupe që po godet Uashingtoni.
Franca këmbëngul se sqarimi i pozicionit të Rusisë në Siri është jetik dhe kësaj pritet t’i shërbejë edhe takimi mes dy presidentëve këtë të premte.
Hollande do të presë në Paris homologun Vladimir Putin. Takimi u thërrit për të diskutuar krizën në Ukrainë, por kjo çështje pritet të zhvendoset në plan të dytë pas ndodhive të ditëve të fundit dhe angazhimit agresiv të Moskës në Siri.
Rusia thotë se goditi për të dytën ditë me radhë bazat me municione dhe qendrat e komandës së ISIS-it në Siri. Duke folur nga Nju Jorku, ku ndodhet për të ndjekur punimet e OKB-së, ministri i Jashtëm Lavrov tha se Rusia do të vendosë në shënjestër të sulmeve të saj edhe grupe të tjera terroriste, përfshirë al-Nusran dhe militantë të tjerë të lidhur me Al Kaedan.
“Ne nuk mbështesim askënd që është kundër popullit të tij. Ne luftojmë terrorizmin”, deklaroi Lavrov, duke shtuar se objektivat koordinohen me ushtrinë siriane.
Nga situata e re dhe përfshirja ushtarakisht e Rusisë në rajon, lindi nevoja për një takim mes drejtuesve në Pentagon dhe atyre të ushtrisë ruse për të shmangur përplasjet aksidentale mes dy palëve.
Por, Uashingtoni thotë se Rusia nuk po bombardon territoret e kontrolluara nga ISIS-i.
“Të ndërmarrësh operacione ushtarake pa dallim kundër opozitës siriane, është e rrezikshme për Rusinë. Kjo vetëm sa do të zgjasë konfliktin brenda Sirisë, apo më keq akoma të shndërrojë atë në një konflikt pa mbarim, që rrezikon të përthithë edhe vetë Rusinë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
Top Channel