SHBA/ Dhanë deklarata të rreme pas të shtënave me armë ndaj një emigranti venezuelian, pezullohen nga detyra dy agjente të ICE Ushtria amerikane dhe ajo ruse do të zhvillojnë bisedime sa më shpejt të jetë e mundur me qëllim që të shmangin përplasjet në Siri.
Zyrtarë rusë të mbrojtjes thonë se të mërkurën, avionët e Moskës ndërmorën gati 20 misione kundër Shtetit Islamik. Por Uashingtoni shprehu shqetësimin se shënjestrat e sulmeve ajrore ruse nuk ishin miliantët e ISIS-it. Sipas tij, objektivat e goditur kanë qenë rebelë kundërshtarë të aleatit të madh të Moskës në rajon, presidentit sirian Bashar al-Assad.
Amerika po i sulmon prej muajsh ekstremistët e Shtetit Islamik në Siri e Irak përmes një fushate ajrore e cila nuk ka prekur kryengritësit anti-Assad. Edhe NATO-ja e pranon se ka pasur shumë pak koordinim mes Rusisë dhe forcës së drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it.
Uashingtoni thotë se për sulmet ajrore ruse të së mërkurës u informua vetëm një orë përpara se ato të ndodhnin. Dy prej gazetave më prestigjoze të globit, “New York Times” dhe “Wall Street Journal” raportuan se bombardimet e Moskës po shënjestronin rebelët e mbështetur nga Amerika. Pas valës së reagimeve, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov evidentoi nevojën për vendosjen e linjave të komunikimit në mënyrë që të shmangen incidentet e paqëllimshme.
Homologu i tij, John Kerry sqaroi se bisedime dypalëshe mbi këtë çështje do të zhvillohen me urgjencë, ndoshta që paraditen e sotme.
Top Channel