Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu, ishte në Bruksel ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian.
Në qendër të takimeve ishin reformat, si ajo e dekriminalizmit apo e sistemit të drejtësisë, që duhet të realizojë vendi në kuadër të proceseve integruese në prag të publikimit të progres-raportit për Shqipërinë.
“Kam pasur një takim shumë të mirë në fakt me drejtorin e ‘DG NEAR’ (Drejtoria e Zgjerimit) të komisionit, zotin Danielson, ku kemi diskutuar për zhvillimet më të fundit të këtyre ditëve në Shqipëri, për atë që pritet të ndodhë për procesin e dekriminalizimit dhe përmbylljen e tij. Ju e dini se tashmë, progresraporti i Komisionit Europian është përfunduar thuajse, pasi publikohet më 14 tetor, por kjo nuk do të thotë që në rast të ndonjë zhvillimi pozitiv, për shembull të përmbylljes së procesit të dekriminalizmit, ky nuk do të jetë i pasqyruar në raportin e Komisionit Europian. Por, më i rëndësishëm mbetet zbatimi, vullneti politik për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga kjo gjë, që jo vetëm ka dëmtuar e damkosur politikën shqiptare, por na ka vënë edhe në një siklet të paparë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Prandaj unë shpresoj shumë – dhe besoj në të njëjtin qëndrim ishte dhe komisioni, që sigurisht ka një informacion më të përshtatshëm të të gjithë procesit, – se ky proces do të mbyllet. Them se kjo është një kauzë e fituar për opozitën, sepse është ngritur nga opozita, që nëse do të kishte një kryekauzë gjatë këtyre dy viteve opozitë, ai është patjetër dekriminalizimi, si dhe për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, që është reforma më kryesore, kryetitull i të gjitha reformave të tjera. Kemi diskutuar me shqetësim dje, edhe për situatën e azilkërkuesve shqiptarë në Europë dhe, në fakt, për mua është krejtësisht e papranueshme se, përse deri më sot qeveria shqiptare nuk ka një strategji dhe plan masash për trajtimin e çështjes. Janë larguar vetëm për në Gjermani 39 mijë shqiptarë, e sidomos sot, kur Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta, ata do të kthehen pas, ndaj dhe unë nuk kam dëgjuar një plan masash për të zbutur kthimin e tyre”, tha Majlinda Bregu, deputete demokrate.
Top Channel