Në një konferencë të mbajtur për Policimin në Komunitet, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se duhet ndryshuar patjetër marrëdhënia e policisë me qytetarët dhe kjo bëhet duke reformuar policinë shqiptare në themel.
“Është një reformë që do të ndikojë në perceptimin publik ndaj policisë. Nuk kemi një trashëgimi të shëndoshë në marrëdhënien polici-qytetar. Ka ekzistuar një kohë kur policia quhej instrument represiv për qytetarin dhe nuk ngjallte dot respekt. Vetë punonjësi i policisë e përjeton detyrën si çështje personale: nëse ka mundësi sillet dhunshëm, nëse nuk ka, mbyll një sy. Kjo ndodh kur nuk respektohet standardi ligjor. Beteja me këtë trashëgimi është e vështirë dhe kemi një detyrë jo të lehtë përpara”, tha Tahiri.
Duke folur për korrupsionin në radhët e uniformave blu, Tahiri u shpreh se gjërat kanë nisur të ndryshojnë për mirë.
“Përpara se të merrja detyrën, policia konsiderohej si një nga institucionet më të korruptuara, por gjërat kanë ndryshuar. Tashmë jemi më të vëmendshëm dhe kemi më shumë vullnet për të dëgjuar qytetarin. Por edhe vetë qytetarët duhet të denoncojnë dhe të japin informacion. Nuk duhet të pranojnë shkeljen e të drejtave të tyre. Bashkë mund t’ia dalim ndaj policëve të korruptuar”, deklaroi Tahiri.
Top Channel