Gjirokastra pritet që të ndryshojë plotësisht mënyrën e furnizimit me ujë të pijshëm, që prej shtatorit të vitit të ardhshëm.
Projekti i investimit në rrjetin shpërndarës të Ujësjellësit, për 7 lagje të qytetit si dhe për fshatrat Valare e Shën Todër, që furnizohen nga burimi i Hosit, do t’u japë fund problemeve të mungesë së ujit të pijshëm, shpërdorimeve të tij dhe ndërhyrjeve pa kriter në rrjet.
Investimi prej 4,5 milionë eurosh i bankës gjermane KFW dhe fondeve të BE-së do të rikonceptojë rrjetin në këtë hapësirë, si dhe do të vendosë gati 5000 matësa të ujit të pijshëm.
Kreu i Ujësjellësit, Dasho Qeli thotë se, megjithëse kompania e Ujësjellësit Gjirokastër është e vetmja që rezulton me fitim në të gjithë vendin, problemet për shkak të rrjetit të amortizuar dhe dëmtimeve në tubacione dhe rezervuarë kanë qenë të shumta.
Ky, sipas tij, është investimi i parë që kryhet në funksion të furnizimit me ujë të qytetarëve të dhjetëfishuar të Gjirokastrës, që prej viteve 1939-1940, kur rrjeti u ndërtua nga italianët.
Jashtë planit të investimit duket se do të mbeten pjesa kryesore e lagjeve historike të qytetit, për të cilat specialistët mendojë gjithashtu se, përfitimet do të jenë të rëndësishme, pasi do të ketë një menaxhim më të mirë të ujit në të gjithë hapësirën.
Kështu, vetëm ndërtimi i tri rezervuarëve të rinj në qytet dhe rrethina; me kapacitete 1500 metra kub, 500 metra kub dhe 200 metra kub; do të nomalizojë kohën e furnizimit me ujë të pijshëm edhe për hapësirat që lë jashtë investimi.
Aktualisht, në Gjirokastër ka 5600 abonentë të regjistruar të Ujësjellësit. Niveli i arkëtimeve ka qenë i lartë, sipas Qelit, por ende mbeten debitorë – sipas tij, – institucionet shtetërore , konviktet, komunat dhe ndërmarrjet publike.
Top Channel