Mijëra emigrantë të tjerë kanë hyrë përgjatë fundjavës në Austri, me autoritetet lokale që presin edhe më shumë fluks gjatë kësaj të hëne nga Hungaria.
Vetëm të shtunën që kaloi Austria priti rreth 10 mijë emigrantë, ndërkohë që i njëjtë ishte parashikimi edhe për të dielën.
Në qytetin Nikelsdorf, në kufirin me Hungarinë, dy autobusë mbërritën gjatë natës në stacion. Me të mbërritur, atyre iu dhanë shishe uji dhe batanije, ndërsa të tjerë nuk pritën dhe u shtrinë në dysheme për të fjetur.
Ndërkohë, liderët e katër vendeve evropiane pritet të zhvillojnë më vonë gjatë ditës një takim në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të lehtësojë krizën.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se, ministrat e Jashtëm të hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke pritet të riafirmojnë qëndrimin karshi thirrjes së Gjermanisë për një ndarje më të drejtë të kuotave të refugjatëve.
Gjatë fundjavës, mijëra emigrantë vijuan të kalonin kufijtë në jug dhe në lindje të kontinentit të vjetër, shumica prej tyre me shpresën për të arritur Gjermaninë ose vendet nordike.
Kriza e refugjatëve ka vënë në dukje edhe ndasitë e thella mes shteteve perëndimore për zgjidhjen e çështjes. Presidenti francez Francois Hollande deklaroi më herët gjatë muajit se askush nuk duhet të përjashtohet nga strehimi i azilkërkuesve.
Ndërsa presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk deklaroi se BE duhet t’i ndihmojë refugjatët për një jetë më të mirë në shtëpinë e tyre.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se administrata Obama do të rrisë numrin e refugjatëve të lejuar të hyjnë në Amerikë çdo vit, duke synuar nivelin e 100 mijë personave në vit deri në 2017-n.
Sekretari i Shtetit, John kerry e cilësoi vendimin si “një hap të mëtejshëm në vazhdën e traditës së Amerikës, si toka e mundësive dhe si një fener shprese”.
Sipas planit të ri, kufizimi i tanishëm për deri në 70 mijë refugjatë në vit do të rritet në 85 mijë gjatë vitit fiskal 2016 dhe do të mbërrijë në 100.000 gjatë vitit pasues.
Top Channel