Lorenc Hysenaj, djali 12-vjeçar i cili qëndron i kërrusur në rrugicën ku ndodhet dhoma e tij me qira, këtë javë nuk ka ngurruar t’i kërkojë ndihmë çdo njeriu që njeh në këtë lagje periferike të Tiranës. Ai kërkon të shkojë në shkollë, por nuk mundet, pasi nëna e tij nuk ka dokumente.
“Kam qejf të iki në shkollë se më pëlqen shumë, të luaj me fëmijët e tjerë, të mësoj… Të gjithë shokët më tallin se më thonë ‘ti nuk ikën në shkollë’. Kur është mami në punë kujdesem për vëllain e vogël, ndërsa kur është në shtëpi pres kalamajtë e tjerë dhe dal luaj pak me ta”, thotë Lorenci me lot në sy.
Marjana Terrollari është qytetare e Pogradecit. Ajo nuk ka mundur ta regjistrojë Lorencin në shkollë dhe Albin në çerdhe pasi jo vetëm që nuk ka dokumente, por as para për të bërë pasaportizimin në Tiranë.
“Arsyeja është që duan një letër për të vërtetuar se ku banoj, në cilin shtëpie, e që duhet të jetë e vërtetuar nga noteri si dhe një dëftesë të çunit se çfarë shkolle ka mbaruar. Unë nuk i kam këto, se dëftesa e çunit është në Greqi se nuk ia kam marrë, pasi kam menduar se do të kthehem. Këtë të voglin nuk e kam regjistruar në gjendjen civile sepse më duhet të bëj shpërnguljen nga Pogradeci në Tiranë”, tregon Marjana.
33-vjeçarja tregon se pas njohjes me bashkëshortin 16 vite më parë, emigruan në Greqi. Aty lindi Lorenci, por kriza në Greqi çoi në mbylljen e vendeve të punës, ndërsa ata u kthyen dhe u vendosën në Elbasan, ku punuan për dy vite.
Por, edhe këtu vendi i punës u mbyll dhe vendosën të vinin në Tiranë, me shpresën se do të gjenin punë. Por, në kryeqytet bashkëshorti i Marjanës gjeti si shpëtim bixhozin.
“Bixhozin e filloi kur linda çunin e vogël. I thosha fillove punë, punove, çfarë do të bëjmë sot… më thoshte ‘po më gënjejnë’, i thosha që po më gënjen ti mua, jo ata ty. Më thoshte ‘dil puno ti’. E kuptova që luante bixhoz edhe ika, nuk bëra as sherr. Ka raste që më marrin në orën 05:00 dhe më thonë hajde se kemi punë dhe iki, zgjoj çunin i them që të shikojë çunin e vogël se po iki në punë. Ka raste kur më marrin në ora 12:00 dhe kthehem në ora 22:00, varet si do të mbarojmë edhe prapë ja lë çunit, i them t’i japi qumësht, supë… dhe e mban ai gjithë ditën”, vazhdon rrëfimin Marjana.
Marjanës i duhet të punojë për të paguar qiranë prej 10 mijë lekësh të dhomës si dhe faturën e energjisë elektrike. Borxhet në dyqane janë të mëdha dhe shumicën e tyre nuk mund ta shlyej. Nuk ka askënd që mund ta ndihmojë. Marjana tregon se kur ishte 10-vjeç, prindërit u ndanë. Ajo u rrit nga i ati, i cili sot nuk do ta takojë.
Lorenci dhe Albi nuk kanë askënd tjetër përveç nënës së tyre. Në këtë lagje të gjithë i njohin këta dy fëmijë që qëndrojnë në pragun e kësaj shtëpie ku ndodhet dhoma e tyre. Ata duan të jenë njësojë si fëmijët e lagjes ku jetojnë e të kenë po ato të drejta.
Top Channel