Dekriminalizimi, Lu në selinë e PD; Basha: Ligji duhet me konsensus

17/09/2015 13:50

Prezantimi nga qeveria i një projektligji paralalel për dekriminalizimin, duke vënë në pikëpyetje ekzistencën e komisionit të posaçëm për të njëjtën çështje, e ka detyruar ambasadorin amerikan Donald Lu të nisë një tur të ri takimesh të nivelit më të lartë politik vendimmarrës.

Ambasadori nuk preferoi të komunikojë me median, ndërsa kreu i opozitës, edhe pse shumë shkurt, shprehu vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund dekriminalizimit të politikës dhe adminisratës.

“Ne kemi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve ndërkombëtarë të cilët dua t’i falënderoj për këtë mbështetje që i japin kësaj kauze jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jemi të vendosur që të ndërmarrim të gjithë hapat për ta zgjidhur këtë çështje”, deklaroi Basha.

Kur thotë “të gjithë hapat”, Lulzim Basha ka si prioritet zgjidhjen politike me konsensus brenda komisionit për dekriminalizimin, edhe pse nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla po përsërit këto ditë se mes palëve nuk ka shans për konsensus.

“Fokusi ynë mbetet zgjidhja institucionale brenda kornizës së marrëveshjes së 24 Dhjetorit, në kuadër të komisionit të dekriminalizimit, për të gjetur rrugën dhe gjuhën e përbashkët në mënyrë që ligji për dekriminalizimin të jetë një ligj efektiv dhe jo një ligj kozmetik, një ligj që me të vërtetë e bën të pamundur për personat me rekorde të tmerrshme kriminale të kandidojnë apo të mbajnë funksione publike”, vijoi Basha.

Të mërkurën, ambasadori amerikan Donald Lu tha se në Tiranë kishte mbërritur një prokuror amerikan që do të ndihmojë Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ky prokuror e shoqëroi amabsadorin gjatë takimit me kreun e opozitës dhe mesa duket do të japë asistencë edhe për çështjen e dekriminalizimit.

Deri tani palët ndahen tërësisht tek të paktën dy propozime të demokratëve: testi i drogës nga politikanët dhe marrja e shenjave të gishtërinjve, çka sipas Lulzim Bashës e bën ligjin e dekriminalizimit plotësisht efektiv.

“Nëse qeveria ka vullnetin të punojë mbi këto parime, ne kemi vullnetin tonë të plotë dhe sigurisht, përkrahjen e plotë të faktorit ndërkombëtar. Nëse jo, opozita do të marrë vendimet që i takojnë bashkë me qytetarët shqiptarë. Dekriminalizimi do të bëhet. Mirë është të bëhet me vullnetin e të gjitha palëve. Nëse jo, atëherë do të bëhet edhe përkundër mungesës së vullnetit nga ana e qeverisë e veçanërisht kryeministrit Rama”, shtoi Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA