Bashkimi Europian ra dakord në parim për shpërndarjen e 160 mijë refugjatëve në shtetet e unionit, por ende mbeten disa mosmarrëveshje për rritjen e kontrolleve në kufi.
Disa shtete anëtare, veçanërisht të Bllokut Lindor, mbajtën të njëjtin qëndrim kundër kuotave për të lehtësuar Italinë, Greqinë, Gjermanin dhe Hungarinë, të cilat janë duke mbajtur barrën e valës së emigrimit të Europës.
Por, ajo që ministrat zyrtarisht miratuan fillimisht është sistemimi i 40.000 azilkërkuesve që ndodhen në Itali dhe Greqi. Gjithashtu u ra dakord për krijimi e një listë të përbashkët të BE-së për vendet e sigurta të origjinës, e cila tani për tani përfshin vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor.
Qëllimi është për të përshpejtuar riatdhesimin e personave nga ky rajon për të mos u kualifikuar me statusin e refugjateve. Por, lista do të ketë nevojë për aprovimin e Parlamentit Europian, dhe kështu miratimi i tij zyrtar nuk ka gjasa të ndodhë para tetorit.
“Sot kemi arritur një marrëveshje politike. Është një hap i parë i rëndësishëm, por është ende larg nga ajo që ne presim në kuptimin plotë të solidaritetit në Europë”, tha ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere. Sipas tij, një tjetër vendim përfundimtar pritet në takimin e ministrave të Brendshëm më 8 tetor.
Rëndësi të madhe për ministrin e Brendshëm gjerman ka fakti i regjistrimit të refugjatëve me shenja gishtërinjsh në pikat ku ata hyjnë në Europë, e ndërsa atyre që i është mohuar azili do të rikthehen në vendet e origjinës shumë shpejt.
Edhe misionet detare të shpëtimit do të shtohen, me qëllim shpëtimin e emigrantëve në det dhe pengimin e trafikantëve, të cilët tentojnë për të transportuar njerëz drejt brigjeve europiane.
Ndërkohë, situata e refugjateve mbetet e tensionuar, pasi ata enden të pa orientuar. Këta njerëz nuk dinë çdo të bëhet me ta pasi Gjermania, destinacioni i pjesës dërrmuese të refugjateve që vazhdojnë të mbërrijnë në Hungari nga Serbia, vendosi një ditë më parë mbylljen e përkohshme të kufirit me Austrinë. Po ashtu edhe Budapesti së bashku me Vjenën vendosën të dislokojnë trupa ushtarake për menaxhimin e fluksit të madh të refugjatëve që kanë vërshuar në këto vende.
Top Channel