Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndoqi diskutimet e Komitetit të jashtëm Europarlamentar gjatë seancës mbi Shqipërinë.
Kjo seancë publike solli në të vërtetë shefin e opozitës shqiptare në Bruksel, i cili, megjithëse u refuzua për shkak të rregullores për të marrë fjalën në sallë, u prit nga disa eurodeputetë të djathtë, ndërsa takoi dhe raportuesin socialdemokrat Fleckenstein pak minuta para nisjes së seancës dëgjimore.
“Prania ime në Parlamentin Europian ka të bëjë me diskutimin e kësaj çështjeje të rëndësishme. Zgjedhjet janë sot “nyja Gordiane” e demokracisë shqiptare. Kapja dhe rrëzimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është një goditje fatale për demokracinë, e cila është e vetmja që mund të korrigjojë problemet e tjera që kanë të bëjnë me krimin, inkriminimin e politikës, korrupsionin dhe krizën ekonomike. Sigurisht, kam pasur një bisedë të frytshme me europarlamentarë, me përfaqësues të institucioneve të tjera europiane dhe të partisë tonë, të Partisë Popullore Europiane. Gjendja në Shqipëri konsiderohet dramatike. Shumë shqetësuese”, deklaroi Basha.
I pyetur mbi statusin e anëtarit të asociuar të PD-së në PPE, kryedemokrati Basha insistoi për të drejtat e plota të partisë në samitet e ardhshme, në një kohë që e djathta europiane përcakton publikisht 3 kategori të ndryshme anëtarësimi dhe jo dy.
“Titulli ka të bëjë vetëm me një detaj. Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në Bashkimin Europian është ai që kujdeset për këtë detaj. Por në substancë, PD gëzon jo vetëm të drejtën e plotë të votës, por edhe të drejtën për t’u zgjedhur në forumet drejtuese të PPE-së, sipas statutit”, tha Basha.
Gjatë takimeve me eurodeputetët, në kuadër të akuzave ndaj së majtës në pushtet, mësohet se kreu i PD është përqëndruar tek dekriminalizimi dhe reforma e drejtësisë, duke përmendur rastin e deputetit socialist Prenga për ndryshimin, sipas tij, të raportit të ngjarjes nga Policia e Shtetit.
Top Channel