Partia Demokratike ripërsëriti kërkesën për dorëheqje të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Nëkryetari i PD-së, Edmond Spaho, bashkoi në një deklaratë dy kërkesat e opozitës dhe sipas tij, dy zyrtarët e lartë të shtetit nuk gëzojnë legjitimitetin për të qëndruar në postet që mbajnë.
“Prej 10 ditësh, kryetari i Parlamentit dhe ministri i Brendshëm, dy funksionarë të rëndësishëm të shtetit janë pa legjitimitet dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyrën edhe pse në sytë e mbarë shqiptarëve janë të akuzuar njëri për marrje rryshfeti e tjetri për lidhje me bandat e trafikut të drogës”, tha Spaho.
Emri i Ilir Metës, sipas demokratëve, është përmendur për marrje ryshfeti nga avokatët e shtetit shqiptar në Arbitrazhin e Vjenës në procesin gjyqësor me kompaninë CEZ, ndërsa kërkesën për dorëheqje të Sajmir Tahirit e legjitimojnë me deklaratat e një ish-oficeri të lartë të antidrogës.
“Ky vend dhe qytetarët e tij nuk mund të mbajnë në kurriz dy funksionarë të lartë të shtetit, nën të tilla akuza, ndaj Partia Demokratike, përsërit kërkesën për dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës dhe vendosjen e tij në dispozicion të një hetimi të plotë dhe të besueshëm për akuzat e bëra publike”, deklaroi Spaho.
Opozita thotë se largimi, si i Ilir Metës ashtu edhe i Sajmir Tahirit është parakusht për t’i hapur rrugë hetimit në të kundërt, demokratët paralajmërojnë protesta për rrëzimin e atij që e quajnë “regjim i krimit dhe korrupsionit”.
Top Channel