Rreth 40 mijë emigrantë pritet të mbërrijnë në Gjermani në dy ditët e ardhshme, shifër kjo që është dyfishi i numrit të atyre që hynë në vend fundjavën e kaluar.
Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Qyteti jugor i Mynihut priti 3.600 emigrantë të tjerë mëngjesin e kësaj të shtune, por ekzistojnë shqetësimet se si rajoni përkatës do të përballet me një fluks tjetër në ardhje.
Rreth 4 mijë trupa pritet të dërgohen në Gjermani për mbështetje logjistike. Kryetari i Bashkisë së Mynihut, Dieter Reiter u ka bërë thirrje rajoneve të tjera që urgjentisht të bëjnë më shumë për të pritur dhe akomoduar të ardhurit e rinj.
Ai e ka cilësuar si “skandaloz” dështimin e rajoneve të tjera për të strehuar më shumë emigrantë, raporton transmetuesi shtetëror ARD.
Raportime të ndryshme sugjerojnë se qeveria gjermane po shqyrton marrjen e kompetencave të reja të përkohshme për të marrë nën kontroll banesa me qera të boshatisura për të akomoduar emigrantët.
Ndërkohë, një nyje për qarkullimin e emigrantëve pritet të ngrihet në veri të Gjermanisë, në lokalitetin Luneburg Heath, ku trenët do të marrin atje të ardhurit direkt nga Austria.
Ndërkohë, në Hamburg një demonstratë e ekstremistëve të djathtë u ndalua nga autoritetet më herët gjatë javës, por stacioni kryesor hekurudhor qëndroi i mbyllur edhe të shtunën, pasi protestuesit e krahut të majtë sulmuan një tren ku mendohet se po udhëtonin neo-nazistë.
Por disa qindra persona të tjerë iu bashkuan një proteste paqësore në qendër të qytetit, në mbështetje të tolerancës dhe diversitetit.
Top Channel