Raporti i OSBE-së, BE-ja i kërkon Tiranës që të ndjekë rekomandimet

11/09/2015 09:05

Bashkimi Europian merr parasysh gjetjet e raportit përfundimtar të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale  të 21 Qershorit 2015, të cilat pritet të përfshihen, si zakonisht, në raportin vjetor të progresit për Shqipërinë.

I publikuar më 8 shtator, “raporti vë në dukje se zgjedhjet u zhvilluan pa incidente të mëdha”,  vlerëson Brukseli, por “ngre shqetësime në lidhje me paanshmërinë dhe profesionalizmin e organeve zgjedhore, si dhe për politizimin e përgjithshshëm të procesit zgjedhor në Shqipëri”. Pas analizimit të dokumentit përfundimtar të OSBE-ODIHR”, BE i bën thirrje autoriteteve kompetente në Shqipëri për të siguruar një ndjekje të duhur të listës së plotë të 23 rekomandimeve të përfshira në raport”, shprehet për Top Channel zëdhënësja e ekzekutivit europian, Maja Koçijançiç.

Në anën tjetër, legjislativi europian parashikon javën e ardhshme një seancë të posaçme në Komitetin e  Jashtëm për të diskutuar mbi organizimin e zgjedhjeve lokale me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, dhe shefen e misionit vëzhgues, Audrey Glover. 

“Është mjaft e dobishme që ODIHR, zyra e OSBE-së për zgjedhjet, nuk ka vlerësuar vetëm përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve lokale të Shqipërisë, por ka dhënë dhe rekomandime për mënyrën e forcimit të transparencës, eficencës dhe besimit në procesin zgjedhor”, gjykon raportuesi  për vendin tonë në PE, Knut Fleckenstein, njëkohësisht zëvendëspresident i grupimit të majtë.  I kontaktuar nga Top Channel mbi këtë çështje, ai  shprehet se “nxit autoritetet shqiptare për të zbatuar këto rekomandime, sidomos kur disa prej këtyre rekomandimeve janë bërë pas zgjedhjeve të kaluara. Prandaj, isha i lumtur të dëgjoja se kryeministri lajmëroi qëllimin e tij për ta bërë këtë dhe se kjo ishte mbështetur nga drejtuesi i partisë kryesore në opozitë,” deklaron Fleckenstein, por “në anën tjetër,” shton ai, ” ligjet e mira elektorale garantojnë vetëm pjesërisht një proces të mirë zgjedhor. Në fund, ajo që llogaritet është nëse këto ligje janë duke u zbatuar besnikërisht”, sipas tij.

“Ndërsa ODIHR jep një vlerësim disi pozitiv për ditën zgjedhore, akuzat e gjithëpërhapura mbi blerjen e votës, për shembull, e nxinë këtë tablo. E njëjta gjë vlen për politizimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, për mungesën e raportimit të duhur të financimit të fushatës nga partitë, problemet me listat e votuesve, parashikimet për mbulimin e barabartë mediatik dhe çështjet e tjera”, rendit socialdemokrati gjerman.

“Duhet të jetë një prioritet politik për Shqipërinë që të vendosë kushtet për më shumë besim në profesionalizmin dhe paanshmërinë e administratës së saj zgjedhore,” këshillon në fund Fleckenstein  “Jam i bindur se  kjo do të ndihmojë në rritjen e pjesëmarrjes së votuesve për zgjedhjet e ardhshme,” përfundon qëndrimi i raportuesit për Shqipërinë në PE.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA